Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) ka mbajtur konferencë të përbashkët për medie me institucionet nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit për mbarëvajtjen e procesin zgjedhor, raporton Ekonomia Online.
Nga kjo konferencë u bë thirrje për të gjithë qytetarët që në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt të respektohet Ligji për Zgjedhje si dhe Kushtetuta e Kosovës.
Madje u kërkuar nga qytetarët dhe mediet që për çdo parregullsi të raportojnë te organet kompetente.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka edhe njëherë ka kërkuar nga partitë politike dhe votuesit që të respektojnë Ligjin.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për t’i shërbyer zgjedhjeve të lira. Ftoj subjektet politike dhe votuesit që t’i përmbahen rregullt të KQZ-së, Ligjit për Zgjedhje dhe Kushtetutës dhe të dëshmojmë që jemi të aftë të organizojmë zgjedhje të lira”.
Edhe Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit, ka thënë se tashme janë përgatitur për zgjedhjet e 14 shkurtit. Ajo ka thënë se kanë angazhuar 88 prokurorë për atë ditë.
“Edhe ne kemi finalizuar të gjitha procedurat dhe kemi caktuar 88 prokurorë të cilët do të operojnë me Policinë e Kosovës në ditën e zgjedhjeve që të mbrojmë votën e qytetarit”.
“Fotografimi i votës nuk është vepër penale mirëpo çdo person do të arrestohet me qëllim se pse e ka fotografuar votën sepse tregon që ka qenë i shtyrë apo i kërcënuar”.
Gjyqtarja e Gjykatës Themelore Fatime Dërmaku, ka thënë se kanë angazhuar 30 gjyqtarë kujdestarë për 14 shkurt.
“Kemi caktuar 30 gjyqtarë për ditën e zgjedhjeve që do të kujdestarojnë dhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës”.
Arbnesh Ajvazi, nga Policia e Kosovës, ka bërë thirrje që për çdo parregullsi në ditën e zgjedhjeve qytetarët të lajmërojnë në Policinë.
“Ne kemi marr masa dh kemi hartuar planin operativ, ne kemi ngritur kapacitetet e nevojshme dhe inkurajojmë qytetarët të njoftojnë policinë e Kosovës”.
Edhe PZAP-ja ka bërë të gjitha përgatitjet sa i përket ditës së zgjedhjeve, kështu ka thënë Shukri Sulejmani nga ky institucion, raporton EO.
“PZAP-ja që nga shpallja e zgjedhjeve ka marr të gjitha masat dhe ka kryer të gjitha obligimet ligjore dhe janë angazhuar me kapacitet të plotë. PZAP-ja ka punuar me orar të zgjatur dhe është duke punuar”.
Luan Latifi nga Komisioni i Pavarur i Medieve, ka treguar se do të monitorohen 23 ofrues të shërbimeve programore.
“Duke marr parasysh që mediet kanë rol të rëndësishëm, ne si KPM kemi mandat për monitorim të mediet. Ne si institucion brenda kapaciteteve humane bëjmë monitorimin të 23 ofruesve shërbimeve programore, fokus monitorimi prej orës 16:00 deri në ora 24:00”.
“Për shkelje të parafushatës zgjedhore kemi has të 5 TV ku kanë bërë”, ka theksuar Latifi.
Florent Spahija nga KDI-ja ka thënë se në këto zgjedhje është zvogëluar numri i vëzhguesve nga 2500 në 500.
“Nga 2500 vëzhgues që kemi pasur tani i kemi 500 vëzhgues. Kjo do të jetë sipas mostrës që e kemi përcaktuar”.