Institucionet kryesore financiare pa udhëheqës – “Partia në pushtet nuk po gjen kuadro të përshtatshme”

Prishtinë | 01 Pri 2023 | 08:41 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zvarritja e emërimit të udhëheqësve të institucioneve kyçe ekonomike dhe financiare, siç janë Banka Qendrore e Kosovës dhe Trusti Pensional, sipas analistëve me të cilët bisedoi Ekonomia Online, vjen për shkak se partia në pushtet po dëshiron që të emërojë “njerëz të saj” në këto pozita, ndërkohë që i mungojnë kuadrot.

Fondi i Kursimeve Pensionale është pa Bord Drejtues qe disa muaj, pikërisht në kohën kur po shënon miliona euro humbje për shkak të luhatjeve në tregjet ndërkombëtare; derisa edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nga kjo javë funksionon me ushtrues detyre.

Analisti politik, Afrim Kasolli, në një prononcim për EO, ka thënë se mosvendosja e njerëzve të duhur me kohë në këto institucione, është lajm shqetësues për qytetarët, sidomos në rastin e Trustit ku ka humbje milionëshe.

Sipas tij, qeveria nuk është duke i gjetur personat që iu përshtaten interesaave të tyre, prandaj edhe nuk po emërohen kryesuesit e rinj.

“Këto janë lajme shumë shqetësuese për qytetarët e Kosovës, pasi faktikisht dy sferat kryesore të shoqërisë, e para që ka të bëjë me financat dhe e dyta me sistemin e drejtësisë, janë pa menaxhim. Aktualisht ndodhen pa njerëz përgjegjës të cilët duhet t’i menaxhojnë këto sfera dhe kemi parë që sidomos në çështjen e Trusti ka humbje të milionave. Kjo neglizhencë e Qeverisë së Kosovës për të mos e kompletuar bordin e në përgjithësi institucioneve, është shprehje e papërgjegjësisë së saj. Mbase nga kalkulimet e tyre politike ndodh kjo të cilët nuk po arrijnë t’i gjejnë personat adekuatë për interesat e tyre partiake për t’i rekrutuar”, tha ai.

Ai ka komentuar edhe mosdekretimin tash një vit të kryeprokurorit të Shtetit nga presidentja Vjosa Osmani. Kasolli konsideron se Osmani me këtë rast nuk e ka realizuar detyrën e saj Kushtetuese dhe se me këto veprime ka shkelur kompetencat e saj.

“Sa i përket dekretimit të Prokurorit dhe vonesës së presidentes për ta realizuar detyrën e saj Kushtetuese, ky është një lajm shumë i keq dhe tashmë është e qartë se edhe presidentja me veprimet e saj ka cenuar sistemin juridik të vendit, duke e lënë vendin pa kryeprokuror. Sipas interpretimeve juridike, ajo tashmë ka shkelur kompetencat e saj kushtetuese, duke mos vepruar për ta dekretuar kryeprokurorin e vendit”.

“Në përgjithësi këto veprime të papërgjegjshme të kësaj qeverie njëfarë mënyre shprehin papërgjegjësinë e saj për t’i menaxhuar si duhet institucionet kryesore publike dhe për t’i realizuar premtimet për të cilat është mandatuar”, tha ai.   

Ndërsa analisti politik, Shemsi Jashari, ka thënë se Qeveria Kurti II është duke u treguar e paaftë për t’i kryer detyrat e saj, sidomos në emërimin e pozitave të larta drejtuese në institucione të rëndësishme të shtetit.

Jashari tha për Ekonomia Online se mosemërimi i tyre krijon shumë probleme brenda këtyre institucioneve.

“Nëse mund ta përmbledhim me një fjali, Qeveria Kurti II është treguar mjaft neglizhente, mjaft joefikase, lirisht mund të them edhe e paaftë për t’i kryer detyrat, sidomos në emërimin e pozitave të larta drejtuese në institucione të rëndësishme”.

“Kjo e ka shoqëruar tash e dy vite këtë qeveri. Kemi shumë pozita me ushtrues detyre. Kjo krijon shumë probleme brenda këtyre institucioneve për shkak se kur nuk kemi drejtues legjitim për t’i kryer detyrat. Në ato institucione kemi një ‘status quo’ ku askush nuk mund të marrë vendime të rëndësishme dhe secili mundohet të dominojë dhe të fshihet pas mungesës së kompetencave”, theksoi Jashari.

Ai i bëri thirrje qeverisë që me urgjencë t’i emërojë personat përgjegjës nëpër këto institucione.

Mosemërimi i personave adekuatë në këto institucione, sipas Jasharit, është duke ndodhur për shkak se kjo qeveri ka mungesë të dijes dhe përvojes në qeverisje, si dhe ka tendenca për t’i emëruar militantët partiakë në këto pozita.

“Ajo çka do të duhej të bënte Qeveria e Kosovës është që me urgjencë të marrë vendime për t’i emëruar personat përgjegjës, sidomos për Trustin Pensional të Kosovës dhe për guvernatorin e BQK-së. Unë shoh dy probleme pse nuk po ndodhin këto emërime, e para është mungesa e dijes dhe e përvojes në qeverisje dhe arsyeja e dytë që mund të jetë edhe e para për nga renditja është tendenca për t’i emëruar personat e dëgjueshëm, militantë partiakë në këto pozita që pastaj do t’i kontrollonte dhe t’i zbatonte politikat e veta”.

“Duket se ky subjekt politik nuk ka kuadro të mjaftueshëm me përvojë për t’i emëruar të gjitha pozitat, e sidomos në pozita të larta ku nuk mund t’i dërgojnë tifozët politikë, por duhet të jenë patjetër një kuadro profesional, sidomos kur flasim për Trustin dhe BQK-në. Vazhgitja në pafundësi në emërimin e këtyre pozitave i bënë dëm të madh sistemit ekonomik dhe financiar të vendit”, tha ai.

Të ngjashme