Ndonëse janë bërë gati një muaj prej kur është miratuar kurrikula për nivelin parashkollor (mosha 0 deri 5 vjeç, ky dokument nuk po zbatohet nga institucionet parashkollore.
Përfaqësuesit e këtyre institucioneve konsiderojnë se dokumenti është miratuar pa u marrë parasysh vërejtjet e adresuara kur kurrikula ndodhej në diskutim publik, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për ta kundërshtuar këtë dokument Kolegjiumi i drejtorëve të institucioneve parashkollore më 23 shtator ka dorëzuar ankesë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe ka kërkuar anulimin e kurrikulës.
Kryetarja e këtij kolegjiumi, Mevlude Murtezi, ka thënë se deri tash nuk kanë marrë përgjigje nga MASHT-i. Ajo ka bërë të ditur se çerdhet nuk kanë nisur ta zbatojnë kurrikulën pasi, sipas saj, dokumenti nuk është miratuar në bazë të procedurave. Ajo pret që Qeveria e re ta anulojë këtë kurrikulë të miratuar nga ministri në largim, Shyqiri Bytyqi.