Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka dërguar në Zagreb për analiza shtesë insulinë me cilësi të dyshimit. Kjo është bërë e ditur sot përmes një komunikate për media.
Njoftimi i plotë i ministrisë:
Me qëllim të mbajtjes së qytetarëve dhe publikut të informuar lidhur me disa shqetësime të ngritura lidhur me njërin prej llojeve të insulinës, konkretisht Gensulin, e cila është duke u përdorur që prej vitit të kaluar për trajtimin e një numri pacientësh me diabet në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sigurojë opinionin se prej momentit të ngritjes së shqetësimeve rreth këtij produkti, ka ndërmarrë masa që të sigurohet që ky ilaç t’i plotësojë standardet e cilësisë për përdorim në Kosovë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Ministria e Shëndetësisë sqaron se procesi i kontraktimit të këtij bari ka shkuar në rrugë krejtësisht legale dhe ka kaluar nëpër të gjitha procedurat në përputhje me Ligjin për prokurim publik në Kosovë, sipas të cilit, asnjë operatori nuk mund t’i ndalohet e drejta e konkurrimit në treg për produkte të regjistruara në Agjensionin Kosovar për Pajisje dhe Produkte Mjekësore.
MSH thotë se, “pas ngritjes së disa shqetësimeve nga disa endokrinologë, kryesisht në media, për siç konsiderojnë ata, efekte jo adekuate të produktit Gensulin, me kërkesë të Ministrit të Shëndetësisë, Inspektorati Farmaceutik, në bashkëpunim me Agjensionin Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPPM), ka marrë disa ekzemplarë të Gensulin, të cilat i ka dërguar për analizë të kontrollit të cilësisë në Agjensionin për Barna dhe Pajisje Mjekësore “Halmed” në Zagreb të Kroacisë”.
Më tutje thuhet se përveç produktit, në këtë agjension kroat janë dërguar edhe Moduli 3 nga prodhuesi i Gensulin, Bioton (Poloni) që ka të bëjë me metodat analitike dhe validitetin e tyre si dhe substancat referente në sasi të mjaftueshme për të gjitha testet.
“Së fundi, tash në muajin korrik, pas kontakteve dhe interesimeve të vazhdueshme rreth produktit, Agjensioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) i ka dërguar Agjensionit HALMED edhe listën e plotë të gjithë parametrave nga certifikata e analizës së produktit Gensulin, për të cilët dëshiron të ketë rezultatin e analizës. Në ndërkohë, që MSH dhe AKPPM po presin që ta kenë rezultatin e kontrollit të cilësisë së produktit Gensulin nga një institucion kredibil për këtë çështje, i lut qytetarët që të kenë mirëkuptim për të pritur këtë rezultat, në varësi të së cilit edhe do të ndërmerren hapat e nevojshëm”, thuhet në komunikatë.
MSH thotë gjithashtu se e kupton ndjeshmërinë e kësaj çështje dhe reagimet subjektive që mund të paraqiten, ndërkohë që i siguron qytetarët se pas marrjes së rezultateve, në rast se konfirmohet që produkti nuk i ka përmbushur standardet e cilësisë, në emër të pacientëve do të kërkojë llogari dhe dëmshpërblim nga operatori, sikur që, do të kërkojë llogari edhe nga palët e tjera të përfshira në rast se vërtetohet e kundërta.
Pa e paragjykuar rezultatin e analizës së cilësisë së produktit, MSh rithekson se interesi kryesor mbetet ruajtja dhe përparimi i shëndetit të pacientëve në çdo rrethanë.