Provokimet e ndërsjella ndërmjet tifozëve të Dritës dhe të Gjilanit, nisën qysh pas hedhjes së shortit për këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Por ato kanë prekur fundin të martën, pak ditë para derbit më të zjarrtë në futbollin e Kosovës.
Luftën e fjalëve të martën e nisën tifozët e Dritës “intelektualët”, ndërkohë që shpejt u kundërpërgjigjën edhe ata të Gjilanit “skifterët”, shkruan sot Koha Ditore.
Derbi i qytetit të Gjilanit dhe i futbollit të Kosovës do të zhvillohet të dielën (15:30) në Gjilan, në stadiumin që “intelektualët” e quajnë “Selami Osmani – Bezi”, kurse “skifterët” “Agim Ramadani – Katana”. Zyrtarisht stadiumi njihet si i qytetit.
Vendase do të jetë skuadra e Gjilanit dhe sipas rregullit, tifozëve të saj do t’i takojë tribuna kryesore e stadiumit.
Por jashtë stadiumit të dyja grupet janë të barabarta e të lira, dhe këtë liri e kanë keqpërdorur, duke fyer rëndë njëra-tjetrën.
“Intelektualët” në postimin e tyre në Facebook thanë se do të luajnë kundër skuadrës “që ka tentuar ta trashëgojë historinë e ekipit të shkijeve, pra nga klubi që ka ADN-në në Serbi”, duke iu referuar ekipit “Cërvena Zveda” nga Gjilani që ka funksionuar deri pak para çlirimit të Kosovës.