Inteligjenca amerikane: Deri në 300 persona kanë vdekur nga shpërthimi në spitalin në Gazë

Prishtinë | 20 Tet 2023 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Në një vlerësim të paklasifikuar të inteligjencës amerikane, që i është dërguar Kongresit, thuhet se nga shpërthimi në spitalin në Qytetin e Gazës kanë vdekur nga 100 deri në 300 persona.

Këto shifra paraqesin “numër të lartë të humbjes së jetës”, thanë zyrtarët e inteligjencës amerikane në vlerësimin e tyre, të cilin e ka parë Associated Press. Zyrtarët e inteligjencës ende po shqyrtojnë provat dhe vlerësimi i tyre mund të evoluojë.

Shpërthimi ndodhi në spitalin Al-Ahli të Gazës më 17 tetor, në objektin e të cilit ishin strehuar palestinezë.

Zyrtarët e grupit militant palestinez Hamas menjëherë fajësuan një sulm ajror izraelit për shpërthimin në spital. Izraeli mohoi përfshirjen.

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe zyrtarë të tjerë amerikanë veçse kanë deklaruar se inteligjenca amerikane beson se shpërthimi nuk është shkaktuar nga një sulm ajror izraelit. Edhe në vlerësimin dërguar Kongresit përmendet ky qëndrim.

Të ngjashme