Intensifikohet sulmi rus në lindje të Ukrainës

Prishtinë | 20 Maj 2022 | 23:00 | Nga Ekonomia Online

Dita e 86 e ka gjetur lindjen e Ukrainës nën goditjet e intensifikuara të ushtrisë ruse. Zyrtarët e Kievit thonë se artileria rusr vrau 13 civilë dhe plagosi dhjetëra të tjerë gjatë një sulmi të orëve të para të kësaj të premteje në rajonin lindor të Luhanskut. Predhat goditën zonat e banuara nga civilët në qytezën e Severodoneskut, ku sulmi rus është përballur me dështime ditët e fundit. Megjithatë, Moska vazhdon të mohojë vrasjen e civilëve dhe thotë se po godet vetëm objektiva ushtarake.

Senatori rus Frants Klintseviç pranoi gjatë një emisioni në televizionin shtetëror rus se ushtria ukrainase është më e forta dhe më e mirëtrajnuara deri  më tani dhe se ruset po përballen me vështirësi të mëdha në këtë vend.

Prej këtyre vështirësive parlamenti rus po diskuton një projektligj që fton në ushtri rusët deri në 40 vjeç dhe të huajt deri 30 vjeç të cilët kanë eksperiencë ushtarake .

Ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu njoftoi ditën e sotme se Rusia do të krijojë 12 baza të reja ushtarake në perëndim të vendit, si përgjigje të kërkesës së Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.  Këto baza do të jenë në vend deri në fund të vitit.

Përveç ushtrisë dhe bazave të reja ushtarake, këtë të premte Presidenti Rus Vladimir Putin u shpreh se numri i sulmeve kibernetike  nga “strukturat shtetërore të huaja“ ndaj Rusisë ishte rritur.

Ndaj ai tha se vendi do të forcojë mbrojtjen e tij kibernetike duke reduktuar përdorimin e pajisjeve dhe softuerëve të huaj.

Ushtria ruse publikoi pamjet e mbërritjes në territoret pro-ruse të luftëtarëve të fundit të dorëzuar të njësisë Azov në Mariupol.  Deri më tani  në tre ditë të kësaj jave janë dorëzuar mbi 1700 luftëtarë, ndërsa nuk dihet ende nëse operacioni i evakuimit nga vendstrehimet e Azovstalit ka përfunduar.

Të ngjashme