Të rinjtë e vaksinuar po apelojnë që të gjitha ata që nuk janë imunizuar ta marrin vaksinën. Numër i madh i tyre kanë pritur në radhë në sallën “1 Tetori”, në kryeqytet për t’u vaksinuar.
Besnik Demaku tha se ka marrë dozën e parë të vaksinës, duke apeluar te qytetarët të marrin atë për të fituar imunitetin.
“Unë e kam marr dozën e parë Pfizer. Nuk kom pas dhimbje. Kom bo analiza kohë pas kohe gjithçka është tu shkuar mirë”.
“Të gjithë të vaksinohen për me fituar imunitetin”.
Edhe Viola Krasniqi tha se të gjithë duhet të vaksinohen që të jemi të sigurt.
“Unë e kam marrë dozën e parë dhe nuk kam pasur dhimbje. Nuk më ka ra me prit”.
“Merren vaksinën të jemi më të sigurt se pandemi na ka marrë shumë kohë, kështu që ma mirë me marr vaksinën”.
Rastet e reja me Covid-19 ditëve të fundit në Kosovë kanë shënuar një rënie të lehtë, por shqetësues mbetet numri i lartë i vdekjeve.
Vetëm gjatë ditës së premte 30 qytetarë humbën betejën me këtë virus. Ndërkaq numri i rasteve aktive në nivel vendi është rreth 20 mijë.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 20 mijë e 646 doza të vaksinës. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 995 mijë e 930 doza të vaksinës.
347 mijë e 344 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.