Interesim i vogël i qytetarëve për legalizimin e armëve pa leje

Prishtinë | 29 Dhj 2018 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Nga pjesa e dytë e dhjetorit, ka filluar fushata gjashtëmujore për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta, të cilat i posedojnë pa leje qytetarët e Kosovës. Nisma është marrë nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme.

Me vendim të ministrit të këtij dikasteri, Ekrem Mustafa, gjatë kësaj periudhe është pezulluar zbatimi i nenit 374, të Kodit Penal, i cili, në paragrafin një, parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Aty parashihet edhe dënim 2 deri në 10 vjet burg, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 260 mijë sosh.

Me këtë fushatë, sipas udhëheqësit të Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Destan Mustafa, synohet vetëdijesimi i qytetarëve për rëndësinë e legalizimit të armës, kontrolli dhe rritja e sigurisë.

“Ne besojmë shumë që secila armë që është e regjistruar do të trajtohet më me seriozitet nga qytetarët dhe normalisht ne do të kemi kontrollin mbi to, sepse do të bëhet balistika e tyre, do të merren shenjat, do të shenjëzohet dhe sigurisht kështu paraqet më shumë siguri,” thotë Mustafa.

Megjithatë, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me leje për armëmbajtje është minimal. Në dhjetëditshin e parë të fushatës, sipas Mustafës, numri i kërkesave për legalizim të armës, mezi ka shkuar në numër dyshifror.

“Dhjetë (10), numër i vogël, por ne jemi duke përgatitur një fushatë mediave, një spot medial, për të cilin na mbështetë UNDP-ja, dhe kjo vazhdimisht do të intensifikohet, për të sensibilizuar qytetarët, për t’ju dhënë besueshmëri në këtë proces, që ata të kenë sa më shumë besim që t’i legalizojnë armët e tyre,” shton ai.

Mustafa ka treguar procedurat nëpër të cilat duhet të kalojë një armë për t’u futur në kuadër të ligjit.

Sipas tij, qytetarët që duan të marrin leje për armën e tyre, e cila i plotëson kriteret për legalizim, duhet që me letërnjoftim, një dokument të gjykatës që dëshmon se nuk është nën hetime dhe një vërtetim nga Policia për të kaluarën, të lajmërohen në stacionin më të afër policor dhe të paraqesin një kërkesë për legalizim të armës.

Aty, ai thotë se zyrtarët përgjegjës do t’i japin një formular për të dhënat personale dhe ato të armës për legalizim, e pastaj një librezë e cila i mundëson qytetarit të transportojë armën e tij deri në kompaninë e licencuar, e cila duhet kontrollojë dhe paraqesë gjendjen teknike të armës, e më pas brenda dy ditësh të përcjellë një raport në MPB.

Tutje, brenda një periudhe prej 30 ditësh, qytetarit i jepet pëlqimi për armëmbajtje në shtëpi. Ndërsa ai ose ajo obligohet që brenda një viti të kryej trajnimin për përdorim të sigurt dhe mirëmbajtje të armës.

Pas ofrimit të dëshmive mbi gjendjen ligjore dhe të drejtën e veprimit ligjor, aplikuesi pajiset me leje për posedim të armës – me arsyetim të përdorimit për rekreacion, shenjëtari ose gjueti, varësisht nga lloji i armës.

Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, sipas Mustafës, arrin vlerën e rreth 300 eurove.

Këtë iniciativë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e mbështetë njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, i cili beson se kjo ndikon në rritjen e sigurisë publike.

Sipas tij, fushatat e tilla duhet të përsëriten dhe masivizohen, në mënyrë që numri i armëve të vogla e të lehta pa leje të bie – e bashkë më të edhe numri i vrasjeve.

“Nuk ka dilemë se me vetë faktin që të gjithë atë që paraqiten që t’i legalizojnë armët, duhet të kalojnë nëpër disa procedura, të mbajnë ligjërata dhe të mësojnë se si përdoret arma, si mbahet arma dhe si duhet të mirëmbahet arma, të gjitha këto e rrisin vetëdijesimin e qytetarëve dhe kësisoj rritet edhe siguria,” thekson Islami.

Megjithatë, sipas Islamit, shqetësues është posedimi ilegal i armëve të gjata, automatike e gjysmë-automatike dhe atyre ushtarake, nga qytetarët, të cilat nuk mund të legalizohen dhe paraqesin rrezik permanent për jetën e qytetarëve.

Për të ulur numrin e tyre, ai propozon një fushatë tjetër ku qytetarët do të mund të dorëzonin armët që nuk mund të regjistrohen dhe në këmbim të merrnin një shumë të hollash nga shteti.

“Është mirë që institucionet përgjegjëse të marrin një iniciativë, të ndahet një shumë e caktuar prej buxhetit të Kosovë, në mënyrë që armët e tilla të cilat nuk është e mundur të regjistrohen, të këmbehen ose shkëmbehen me para ose të gjendet një formë tjetër në mënyrë që ato armë të mos jenë në duart e qytetarëve, sepse armët e zjarrit, armët luftarake paraqesin shkaktim të përgjithshëm të rrezikimit të jetëve, jo vetëm të armëmbajtësit, por edhe atyre që janë përreth dhe më gjerë,” shprehet ai.

Afër 50 mijë, është numri i përgjithshëm i armëve legale në posedim të qytetarëve, sipas Destan Mustafës. Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, thotë se rreth 22 mijë prej tyre janë me leje të Republikës së Kosovës, ndërsa shton se edhe 25 mijë armë të tjera që kanë pasur leje nga ish-administrata e UNMIK-ut, po i nënshtrohen procesit të legalizimit.
Kujtojmë se nga përdorimi i armëve ilegale, kanë mbetur 29 të vdekur këtë vit në Kosovë

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme