Interesim i vogël për vaksinim në shtetin e BE-së, mbyllen 117 qendra

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët shëndetësorë në Rumani thanë të martën se kërkesa për ta marrë vaksinën kundër Covid-19 është duke rënë.

Kjo i ka nxitur autoritetet e shtetit lindor të Bashkimit Evropian që të mbyllin 117 qendra vaksinimi dhe ta shkurtojnë orarin e punës në 371 të tjera, shkruan Free Europe.

Numri ditor i personave të vaksinuar në Rumani ka rënë në mënyrë të vazhdueshme nga kulmi në mes të majit, kur vaksinoheshin rreth 120 mijë njerëz në ditë, në më pak se 20.000 në ditë javën e kaluar.

Shifra ditore e rasteve me koronavirus në javët e fundit ka rënë shumë, por shefi i komisionit kombëtar të vaksinimit, Valeriu Gheorghita, paralajmëroi për rritje të mundshme të numrit të rasteve për shkak të variantit Delta.

Vetëm 24 për qind e mbi 19 milionë banorëve të Rumanisë janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19.

Gheorghita tha se nëse rritja e numrit të rasteve e shton kërkesën për vaksinim, qendrat e mbyllura të vaksinimit mund të rihapen shpejt.

Të ngjashme