Interesim minimal i prizrenasve për Kornizën afatmesme buxhetore

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 11:31 | Nga

Komuna e Prizrenit të hënën ka organizuar dëgjesë publike për Kornizën afatmesme buxhetore 2019-2021, në të cilin takim kanë marrë pjesë numër shumë i vogël i qytetarëve. Në vend të tyre në sallën e KK-së së Prizrenit kanë qenë të pranishëm kryesisht zyrtarët komunalë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Interesimi i vogël i qytetarëve është konfirmuar në fillim të takimit edhe nga kryetari, Mytaher Haskuka. “Informimi për dëgjesën publike për KAB-në është bërë me kohë, por po shihet që interesimi i qytetarëve qenka i ulët”, ka thënë Haskuka, për t’ia dhënë pastaj fjalën Zenel Ahmetajt, zyrtar nga Drejtoria e Financave për të dhënë sqarime lidhur me KAB-në 2019-2021.

Ahmetaj ka sqaruar se buxheti i planifikuar i Komunës së Prizrenit për vitin 2019 është 47.3 milionë euro. Burime kryesore të të hyrave sipas tij do të jenë granti qeveritar me 38.6 milionë euro, të hyrat vetjake me 8.7 milionë euro, etj.

“Shpenzimet janë të planifikuara në pesë kategori ekonomike, si në vijim: për paga dhe mëditje 20.5 milionë euro, mallra e shërbime 5.7 milionë euro, shërbime komunale 1.1 milionë euro, subvencione 973 mijë euro dhe investime kapitale afro 19 milionë euro”, ka theksuar Ahmetaj. Ai ka pohuar se pas qarkores së dytë do të ketë pasqyrë më të saktë të buxhetit dhe shpërndarjes së tij, bazuar mbi udhëzimet që jepen nga Ministria e Financave. Ahmetaj ka prezantuar edhe propozimet buxhetore për vitet 2020 dhe 2021.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme