Stoku i investimeve të huaja direkte kaloi shifrën 5.8 miliardë euro në tremujorin e parë të këtij viti, tregojnë të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, sipas së cilës vlera e aseteve që zotërohen nga të huajt në ekonominë shqiptare u rrit me rreth 800 milionë euro.
Kur bëhet fjalë për atë se cilët janë sektorët, të cilët tërheqin më shumë kapital të huaj, në vend të parë renditet informacioni dhe komunikacioni , ku bëjnë pjesë kryesisht investimet në kompanitë telefonike, por edhe ato në “call center”.
Në tremujorin e parë të këtij viti, stoku i investimeve të huaja në këtë sektor llogaritet në 1 miliard e 220 milionë euro, raporton koha.net.
Në vendin e dytë, sektori më i preferuar nga kompanitë e huaja për të investuar është energjia elektrike dhe gazi.
Sipas Bankës së Shqipërisë, energjia dhe gazi kanë thithur një miliard euro investime të huaja në Shqipëri, ndërkohë që sektori financiar mban vendin e tretë me 952 milionë euro.
Të ndara sipas vendeve, Greqia vazhdon të jetë aksionari kryesor në ekonominë shqiptare.
Asetet e zotëruara nga kompanitë greke në Shqipëri llogariten në mbi 1.2 miliard euro, ndërsa në vendin e dytë vijnë holandezët me 870 milionë euro.