Investimi për TAP në Shqipëri kap vlerën e 1.5 miliard eurove

Prishtinë | 26 Maj 2018 | 13:15 | Nga

Investimi i gazsjellësit TAP është një ndër investimet e huaja më të rëndësishme në Shqipëri, e thënë ndryshe së bashku me investimin në kaskadën e Devollit, përbëjnë dy nga investimet më të rëndësishme në vend gjatë 5 vjeçarit të fundit.

TAP që kalon mes për mes qarkut të Beratit është pjesë e korridorit jugor të gazit, i cili është një nga projektet më madhore të Europës për gazin natyror. Ai do të sjellë gazin nga vendi ku prodhohet, Azerbajxhan në Europë duke kaluar përmes Gjeorgjisë, Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe do të përfundojë në Itali.

Investimi për të gjithë projektin kap një shifër marramendëse prej 45 miliardë dollarësh.

“Ky investim e vendos Shqipërinë në hartën europiane të energjisë, rrit rëndësinë tonë rajonale dhe gjeostrategjike dhe kontribuon për integrimin tregtar dhe fizik të Shqipërisë në Europë. Përveç këtyre ky gazsjellës do të mundësojë futjen e gazit në jetën e përditshme, gazifikimin e Shqipërisë, ndërtimin e centraleve elektrike me gaz dhe rritjen e sigurisë energjetike në vend”, deklaroi nga Berati zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko.

Në Shqipëri, tha ai, investimi i deritanishëm ka arritur vlerën e 730 milionë eurove, ndërsa pritet të investohen edhe 780 milionë euro të tjera, duke e çuar investimin total të këtij projekti në Shqipëri në 1.5 miliard euro.

TAP kontribuon edhe në Produktin e Brendshëm të Shqipërisë duke paguar edhe miliona euro taksa. Ky tubacion ka një gjatësi totale prej 3500 km, ku 215 km shtrihen në Shqipëri.

Sipas zëvendësministrit Aliko, deri tani është kompletuar gati 56% e ndërtimit të gazsjellësit në vendin tonë dhe konkretisht 120 km të gjurmës janë kthyer në gjendjen fillestare.

Në qarkun e Beratit, konkretisht në Çorovodë, TAP është duke gërmuar një tunel prej 1.5 km duke shmangur gërmimin buzë lumit dhe shumë afër qytetit.

Kjo është një nga veprat më të rëndësishme të këtij gazsjellësi dhe e vetmja në Shqipëri.
 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme