Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar besimtarët katolik për festën e Pashkëve.
Në urimin e tij ai ka porositur të rinjtë që ta duan Kosovën.
Sipas Dodë Gjergjit, njerëzit kanë drejtë kur thonë se liria është shndërruar në burim pasurimi për disa, se papërgjegjshmëria e faktorit politik e ka molisë të sotmen, se pasuria publike më shumë vihet në interes të politikës se sa të mirës së qytetarëve.
Mirëpo, sipas tij gjeneratat e reja duhet të angazhohen që të krijojnë shtetin e së ardhmes që garanton të mira të barabarta për të gjithë.
Ai në urimin e tij ka përmendur edhe mohimin e krimeve të luftës nga ana e Serbisë.
Sipas tij është e papranueshme që dikush të mohoi vuajtjet dhe krimin që vet e kanë shkaktuar në të kaluarën.
Ai ka porositur që të bëhet përafrimi i dy vendeve nëpërmjet dialogut deri sa të arrihet paqja dhe pajtimi mes dy popujve
Urime i plotë:
Gjatë kohës së përgatitjes pashkëvore, që ne e quajmë Kreshme, jemi përpjekur nëpërmjet uratës të rishikojmë marrëdhëniet tona me shpirtëroren dhe me Zotin, nëpërmjet agjërimit kemi provuar të shërojmë plagët e shpirtit dhe të forcojmë ligështitë e trupit, kurse duke ndarë lëmoshë dhe duke u vu në shërbim të atyre që kanë nevojë për ne, kemi ripërtërirë raportet me të afërmit tanë.
Me këtë përvojë, jo vetëm që e kemi përforcuar besimin në Hyjin, i cili gjatë gjithë historisë së shëlbimit është kujdesur ta mbushë zemrën e njeriut besimtar me shpresë dhe dashuri, por e kemi përjetuar edhe vetë këtë mënyrë pranie të Zotit në jetën tonë. Këndej, ne besojmë me gjithë mendje, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, që Krishti është ringjallur nga të vdekurit dhe qëndron në të djathtën e Atit. Mu për këtë, s’pushojmë kurrë duke e lavdëruar dhe falënderuar Atë, Jezusin e Ringjallur, që është “Udha, e Vërteta dhe Jeta” (Gjon 14, 6b). Sepse, nëpër të, “pasi vdiqëm për natyrën e vjetër që na mbante në robëri, jetojmë dhe shërbejmë në një jetë të re, të Shpirtit Shenjt, që na është dhuruar” (khs. Rom 7, 6b).
Ashtu, sikurse lutja, agjërimi dhe lëmosha janë mjete për ta përforcuar besimin, njashtu edhe mundimi, vdekja dhe ngjallja e Krishtit janë thelbi dhe kuptimi i Pashkëve, që përbëjnë edhe themelin e besimit tonë, që na është dhuruar “me anë të Jezu Krishtit edhe të Hyjit Atë, që e ngjalli Jezusin prej të vdekurve (Gal 1, 1). Në Ngjalljen e Tij, të pagëzuarit rilindin me anë të mëshirës së madhe për shpresën e jetës që nuk vdesë.
Fjala e mishëruar, Jezu Krishti, është përpjekja më e përkryer e Hyjit Krijues për të rivendosur paqen me krijesat e veta. Këndej, Pashka është ngjarja që solli risi radikale për çdo qenie njerëzore, për historinë dhe për mbarë botën: është triumf i jetës mbi vdekjen; ajo është një festë e zgjimit dhe rigjenerimit (Papa Françesku). Të mos pushojmë, pra, duke brohoritur me galdim: Krishti është ringjallë!
Motra e Vëllezër fort të dashur!
Shpresa e të Ringjallurit na mbrumë e na inkurajon me i kuptua sakrificat e të kaluarës dhe të tashmes, me të cilat ndeshet njeriu ynë. Në kohën që po jetojmë, jemi të detyruar të përballemi me të vërtetat e hidhura që na zhgënjejnë ose na i shuajnë idealet e dikurshme dhe na pamundësojnë të arrijmë të dëshiruarën që e duam sot.
Shpeshherë zhgënjehemi nga papërgjegjshmëria e individëve dhe grupeve brenda shoqërisë civile, partive politike, po edhe bashkësive fetare. E, kur shtojmë këtu edhe mediet që merren përgjithësisht me të keqen dhe shpeshherë e rrisin atë duke përhap lajme të rreme ose gjysmë të vërteta, krijohet një përshtypje e përgjithshme se në Vendin tonë s’ka të ardhme.
Kështu, është krijuar opinioni, se nuk ja vlen me punua, me u sakrifikua e aq më pak me dashtë vendin. Në këtë mënyrë, pothuaj se të gjithë punojmë kundër vetës sonë dhe bëhemi bashkëpjesëmarrës në rrënimin e të ardhmes duke ia vra për çdo ditë, pak nga pak, njëri-tjetrit shpresën.
Mirëpo, në përvojën e vuajtjes së Krishtit dhe mrekullisë së Kryqit të Tij, njeriu me anë të fesë arrin të ngritë shikimin e tij përtej të këqijave të kohës dhe matanë të keqes së vet. Arrin të sheh në sakrificën e tij, edhe kur ajo është e përbuzur, të ardhmen e ndritur të vendit të vetë; gjenë kuptimin e dashurisë për jetën, për familjen, për të afërmin në përgjithësi edhe kur sheh se këto nëpërkëmben; i jep kuptim shërbimit të përvuajtur edhe atëherë kur nuk vlerësohet, sepse gjithnjë shpreson në shpërblimin e drejtë prej Zotit.
Kur e shohim vendin tonë nga kjo perspektivë feje dhe shprese, atëherë duhet të themi që ka shumë burra e gra, të moshuar e të rritur, të rinj e të reja, që janë njerëz të mirë, të ndershëm dhe fisnik. Këta, e mbajnë barrën e jetës, përgjegjësinë e edukimit të fëmijëve, nevojën e përparimit familjar, angazhimin për përgatitjen profesionale dhe kryejnë detyra të ndryshme në shoqëri dhe institucione të të gjitha niveleve. Vërtet, punën dhe sakrificën e tyre nuk e shohim në ekrane televizive, por numri i tyre është i madh, kurse përkushtimin e tyre e përjetojmë çdo ditë aty ku jetojmë.
Por, duke qenë që politika dhe media nuk merren me ta, krijohet një përshtypje publike se këtu s’ka mbetur asnjë i mirë, askush i ndershëm dhe asgjë që vlen.
Por, jo, jo, ne e dimë që në popullin tonë ka shumë më shumë të mira se sa ofrohen në publik, për të cilat ia vlen me u sakrifikua, me jetua dhe me i dashtë shtëpitë tona, vendin tonë, po edhe Shtetin tonë.
Çdonjëri prej nesh ka të drejtë kur thotë se liria është shndërrua në burim pasurimi për disa, se parcializimi dhe papërgjegjshmëria e faktorit politik e ka molisë të sotmen, se pasuria publike më shumë vihet në interes të politikës se sa të mirës së qytetarëve. Mirëpo, ne duhet të shikojmë përtej kësaj e të shohim gjeneratat e reja që do ta ndërtojnë Shtetin e së nesërmes, që do të garantojë barazi për të gjithë dhe të gjitha ato që i synojmë sot. Sidomos, duhet të shohim të ardhmen që e dëshirojmë tek fëmijët që po rriten, po edukohen dhe po formohen me një frymë shumë ma të përshtatshme se e kishim ne dikur. Prandaj, duhet të shpresojmë te ta e të investojmë në rriten e tyre, që kur t’i marrin përgjegjësit tona, gjithçka të jetë më mirë.
Kjo perspektivë e shpresës me fe në Krishtin e Ringjallur, na mundëson të mos përqendrohemi vetëm te gjërat negative dhe na aftëson të duam vendin tonë, ta çmojmë lirinë që e kemi, t’i japim kuptim punës, të përballojmë vuajtjet dhe t’i gëzohemi njëri-tjetrit.
Në anën tjetër, është e papranueshme që dikush të mohoi vuajtjet dhe krimin që vet e kanë shkaktuar në të kaluarën. Sikur edhe nuk duhet të rreshtim duke kërkuar mundësinë e përafrimit, nëpërmjet dialogut, deri sa të arrihet paqja dhe pajtimi ndërmjet popujve. E pse jo, edhe të shihet mundësia e fillimit të një dialogu ndërmjet nesh, shqiptarëve, për të ardhmen tonë.
Vëllezër e motra, kur i vështroj vuajtjet e Krishtit në Kryq dhe Ringjalljen e tij të lavdishme, në lutjet e mia i përfshij gjitha njetet e juaja, vuajtjet e të sëmurëve në spitale apo ata që lëngojnë në shtëpitë e tyre, gjithë të braktisurit nga përkujdesi shoqëror dhe çdo prind që s’ka mundësi të sigurojë jetën e dinjitetshme të fëmijëve të vet. I Ringjalluri le të jetë ngushëllimi, fuqia dhe shpresa e tyre!
Në këtë kohë të shenjtë të Pashkëve, hiri i Krishtit bëftë që të veprojë dashuria dhe paqja e vërtetë në zemrat e të gjithëve, në familjen e secilit, në Vendin tonë dhe në botën mbarë.
Për shumë mot Pashkët!
+Dodë Gjergji