Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se në orët e mëngjesit të sotëm, nga Policia e Kosovës kanë marrë një informatë për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.
Sipas hetimeve paraprake, IPK thotë se dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale, “një copë e gëzhojës së plumbit ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor”.
Këtë e ka konfirmuar edhe Naser Syla, Drejtor i Emergjencës në QKUK.
Ai për Klan Kosova tha se e kanë pranuar një paciente, zyrtare policore, e plagosur me armë zjarri.
“E njëjta është jashtë rrezikut për jetë”, ka konfirmuar Syla.
E IPK thotë se lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
“Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.