Të paktën dy persona janë vrarë dhe mbi 240 të tjerë janë lënduar pasi një tërmet i fuqishëm prej 6,0 shkallësh të Rihterit goditi perëndimin e Iranit, raportojnë mediat lokale.
Sipas Institutit Gjeologjik të ShBA-së, tërmeti goditi në jugperëndim të qytetit Javanrud, që gjendet në provincën Kermanshah.
Tërmeti u pasua nga dy dridhja të tjera të tokës, që janë vlerësuar si mbi 4 shkallë të Rihterit.
Irani shpesh goditet nga tërmete të fuqishme.
Në nëntorin e vitit të kaluar, një tërmet prej 7,3 shkallësh goditi qytetet dhe fshatrat e provincës Kermanshah, duke vrarë të paktën 620 persona dhe plagosur mijëra të tjerë.
Ndërkaq, më 2003, nga një tërmet 6,6 shkallësh mbetën të vdekur 26 mijë persona dhe u shkatërrua qyteti historik, Bam.