Irani kërkon nga OPEC-u të mos mbushë hendekun nga sanksionet

Prishtinë | 01 Kor 2018 | 18:28 | Nga

Irani i ka kërkuar vendeve anëtare të OPEC-ut që të mos ndërmarrin masa njëpalëshe, duke paralajmëruar se do të përkeqësojnë unitetin e organizatës. Kjo vjen pas lajmërimeve se Arabia Saudite ka rritur prodhimin e naftës në nivel rekord këtë muaj. Ndërkohë që Teherani po përpiqet të gjejë mënyra se si të luftojë sanksionet amerikane që kufizojnë eksportet e naftës dhe ulin pjesën e tregut për vendin.

Ministri iranian i Naftës, Bijan Zanganeh, i bëri thirrje homologut të Emirateve të Bashkuara Arabe, Suhail al-Mazrouei, i cili mban presidencën e OPEC-ut për 2018-në, që vendet anëtare të respektojnë dakordësinë e arritur muajin e kaluar.

“Çdo rritje prodhimi nga vendet anëtare që tejkalon nivelin e rënë dakord në vendimin e OPEC, do të prishte marrëveshjen”, tha Zanganeh, përcjell Scan.

OPEC ra dakord me Rusinë dhe vendet e tjera jashtë kartelit në datën 23 Qershor që të rrisin prodhimin duke nisur nga Korriku dhe Arabia Saudite premtoi një rritje të lehtë, pa dhënë detaje specifikë. Vendet ranë dakord që të rrisin prodhimin me 1 milion fuçi në ditë, pas muajve të shkurtimeve në prodhim. Por që prej atëherë, burimet kanë treguar se Arabia Saudite ka rritur prodhimin në nivel rekord.

Sipas burimeve për Reuters, Mbretëria pritet të rrisë prodhimin në 11 milionë fuçi në ditë gjatë Korrikut.

Irani i ka bërë thirrje vazhdimisht prodhuesve të tjerë që të mos rrisin prodhimin, ndërkohë që sanksionet amerikane pritet të godasin eksportet. Megjithatë Arabia Saudite, që është prodhuesi më i madh i Organizatës, duket se ka rënë dakord me kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe konsumatorëve të mëdhenj si India dhe Kina, që të rrisë prodhimin.

Uashingtoni bëri të ditur javën e kaluar se i ka kërkuar konsumatorëve në Azi dhe Evropë, që të reduktojnë blerjet e naftës iraniane në zero deri në Nëntor dhe paralajmëroi se nuk do të falë me sanksionet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme