Irani kritikon ashpër planet e ShBA-së dhe Francës për marrëveshje të re

Prishtinë | 25 Pri 2018 | 13:38 | Nga

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron kanë thënë se dëshirojnë të negociojnë një marrëveshje të re me Iranin që kalon përtej paktit bërthamor me fuqitë botërore në mënyrë që të përfshihen edhe shqetësime tjera të rajonit.

Propozimi i tyre pas diskutimeve për marrëveshjen bërthamore në Shtëpinë e Bardhë ka ardhur pasi ministri i Jashtëm iranian, Mohammed Javad Zarif, ka propozuar zyrtarisht krijimin e një forumi për dialog me Lindjen e Mesme, gjatë një adresimi në Kombet e Bashkuara.

Macron, i cili aktualisht gjendet në një vizitë tri-ditore në SHBA, ka thënë se ai dëshiron të punojë në një marrëveshje të re me Iranin, e cila i sjellë para tavolinës së negociatave, përfaqësuesit e shteteve të Lindjes së Mesme dhe “fuqitë rajonale” duke përfshirë Turqinë dhe Rusinë.

Macron ka thënë pas bisedimeve me Trumpin se do të ndërtojë “diçka të re që do të mbulojë të gjitha shqetësimet tona”.

“Unë besoj se diskutimet që kemi pasur bashkë e hapin rrugën për një marrëveshje të re”, ka thënë Macron gjatë një konference të përbashkët me Trumpin.

Macron është nisur drejt Shtëpisë së Bardhë në misionin e mbrojtjes së paktit bërthamor, për të cilën ai ka thënë se mund të konsiderohet si “shtyllë” për një marrëveshje më të gjerë.

Marrëveshja e re do të adresonte shqetësimet e Perëndimit për programit e Iranit të raketave balistike dhe do të tentonte të krijonte ndonjë zgjidhje politike për përfshirjen e Iranit në luftat civile në Jemen dhe Siri, ka shtuar tutje ai.

Trump ka thënë se mbështet idenë e një marrëveshje më të gjerë me Iranin. Ai ka thënë se Franca dhe Shtetet e Bashkuara pajtohen jo vetëm se Irani, “nuk duhet të lejohet të zhvillojë programin bërthmor”, mirëpo edhe se “regjimi duhet t’i japë fund mbështetjes së terrorizmit”.

“Mendoj se mund të arrijmë edhe më shumë, ndoshta një marrëveshje më të madhe. Do të shohim nëse do të jetë e mundshme një gjë e tillë”, ka thënë presidenti amerikan.

Trump ka pretenduar se marrëveshja bërthamore ka “themele të shkatërruara. Është marrëveshje e keqe. Është duke dështuar”.

Më 2015, Irani ka nënshkruar marrëveshje me SHBA-në, Rusinë, Kinën, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë për të frenuar aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

“Ata është dashur të krijojnë një marrëveshje që mbulon Jemenin, Sirinë dhe pjesë të tjerë të Lindjes së Mesme”, ka thënë Trump.

“Pavarësisht se ku do të shkoni në Lindje të Mesme, mbrapa problemeve qëndrojnë shenjat e Iranit”.

As Trump dhe as Macron nuk kanë deklaruar se Irani do të ketë diçka në kthim të këtyre koncesioneve, pasi të dy presidentët duket se janë të vendosur për të marrë masa rreth programit të raketave dhe intervenimeve të Iranit në Lindje të Mesme.

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka shprehur dyshimet e tij lidhur me legjitimitetin e kërkesave për marrëveshje të re bërthamore në mes të fuqive botërore dhe Teheranit.

“Së bashku me një lider të shtetit evropian, amerikanët kanë thënë se “ne dëshirojnë të vendosim për një marrëveshje të arritur nga shtatë palë”, ka thënë Rohani në një fjalim televiziv më 25 prill.

“Për çka? Me çfarë të drejtë?” ka thënë Rohani duke iu referuar propozimit.

Në fjalimin e tij, Rohani ka cilësuar Trumpin si “tregtar” të papërvojë.

“Ju nuk keni ndonjë përvojë në politikë”, ka thënë Rohani për presidentin amerikan.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel pritet të mbajë takime me Trumpin në Uashington më vonë gjatë javës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme