Presidenti iranian, Hassan Rohani, ka premtuar se do të fuqizojë ushtrinë kombëtare, teksa ka prezantuar një aeroplan luftarak të ndërtuar në Iran, në përgjigjje të siç ka thënë ai rritjes së agresionit të Shteteve të Bashkuara ndaj Teheranit.
Rohani ka pretenduar në një fjalim televiziv më 21 gusht se fuqia e ushtrisë së Republikës Islamike ka penguar Uashingtonin që të mos sulmojë shtetin.
“Armiku duhet të shohë se i shtrejtë do të ishte pushtimi i Iranit”, ka thënë ai.
“Pse SHBA-ja nuk kryen sulm ushtarak ndaj nesh? Për shkak të fuqisë sonë, sepse i di pasojat”, është shprehur lideri iranian.
“Disa mendojnë se kur rrisin fuqinë ushtarake, ne kërkojmë luftë. Kjo në fakt është kërkim për paqe, sepse ne nuk duam të ndodhë ndonjë luftë”, ka deklaruar Rohani.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, se Uashingtoni nuk është duke kërkuar konflikt ushtarak me Iranin, mirëpo do t’i bëjë “presion maksimal” këtij shteti përmes sanksioneve ekonomike, të cilat synojnë ta largojnë këtë vend nga konflikti në Siri, Jemen dhe vende tjera të Lindjes së Mesme.
‘Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që kjo të zgjidhet në mënyrë paqësore, mirëpo ne jemi të përgatitur për çfarëdo që mund të planifikojë Irani”, ka thënë ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka rivendosur sanksione ekonomike në Iran këtë muaj, pas tërheqjes nga pakti bërthamor i vitit 2015 që Teherani ka me fuqitë botërore.
Sanksionet kanë kontribuuar në rënien e vlerës së valutës kombëtare të Iranit.