Grupi militant, Shteti Islamik (IS) pretendon se ka krijuar një “provincë” në Indi, pas përleshjeve ndërmjet militantëve dhe forcave të sigurisë, në rajonin e kontestuar të Kashmirit.
Në këto luftime është njoftuar se është vrarë një militant, i cili besohet se ka lidhje me IS-in.
Për këtë pretendim të IS-it, ka njoftuar agjencia e lajmeve Amaq, që njihet si media e afërt me grupin militant.
Në deklaratën e IS-it gjithashtu pretendohet se IS-i gjatë luftimeve me forcat e sigurisë, ka vrarë ushtarë indianë në qytetin Amshipora, në qarkun Shopian, që gjendet në Kashmir.
Deklarata e IS-it korrespondon me një deklaratë të lëshuar nga policia indiane ku thuhej se një militant, i quajtur Ishfar Ahmad Sofi, është vrarë gjatë luftimeve në qarkun Shipian.
Kjo deklaratë e IS-it duket se është ndërtuar në atë formë që të forcojë pozicionin e grupit ekstremist, pas zhbërjes së “kalifatit” në muajin prill në Irak dhe Siri.
Që atëherë, IS-i ka kryer në seri sulmesh. Ky grup mori përgjegjësinë edhe për sulmet me bomba në festën e Pashkëve në Shri Lankë, ku u vranë 253 persona.