Tash e një muaj Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar dy interpelanca ndaj kryeministrit të vendit Isa Mustafa.
Që nga 13 korriku edhe kur i kishte adresuar këto interpelanca, Vetëvendosje nuk ka marrë asnjë përgjigje nëse shefi i qeverisë është i gatshëm që të paraqitet në Kuvend për të dhënë ose jo shpjegime rreth situatës politike në veri të vendit dhe për Kodin Telefonik.
Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e qeverisë, Faton Abdullahun për të marrë një përgjigje se a do të ju përgjigjet kryeministri thirrjeve për interpelancë.
Abdullahu ka theksuar se kryeministri Mustafa do t’ju përgjigjet këtyre thirrjeve por nuk ka treguar datën se kur do të ndodh një gjë e tillë.
“Në këtë rast si edhe në raste të tjera Kryeministri Mustafa ka pasur dhe ka vullnetin të përgjigjet dhe do të përgjigjet në çështje nga më të ndryshme të cilat procedohen. Në harmonizim dhe Kryesin e Kuvendit sigurisht se do të përgjigjet edhe për çështjet konkrete”, ka thënë Abdullahu.
Ai ka shtuar se për dy çështjet e ngritura si atë të kodit të telefonisë ashtu edhe të situatës në veri kohëve të fundit kemi zhvillime pozitive dhe shqyrtimi i tyre parlamentar në kuptimin e dialogut të pa tensionuar dhe pragmatik do të jetë ndihmesë për shtyrjen pozitive përpara të këtyre proceseve.
Ndërkaq Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e fundit ka vendosur që interpelancat të mbahen qysh në seancën e parë plenare.