Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim kongresistin amerikan, Eliot Engel.
Mediet kanë mundur të marrin vetë pamje nga takimi, ndërsa nuk ka pasur prononcime.
Por, sipas një njoftimi të lëshuar pas takimit, Mustafa dhe Engel biseduan për proceset politike dhe për përkrahjen e SHBA-ve për shtetin e Kosovës.
Mustafa thuhet se e falënderoi kongresistin Engel dhe SHBA-të për mbështetjen e gjithanshme për Kosovën.
“Kosova do t’ju jetë përherë mirënjohëse për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm për popullin dhe shtetin e Kosovës”, citohet të ketë thënë Mustafa.
Gjatë takimit, kryetari Mustafa foli edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, për procesin e zgjedhjeve lokale si dhe perspektivën e zhvillimit të vendit në të gjitha fushat.
Kongresisti Eliot Engel e falënderoi kryetarin Mustafa për pritjen duke vlerësuar lartë rolin e LDK-së për proceset demokratike dhe zhvillimore në Kosovë.
Engel po qëndron për vizitë disa ditore në Kosovë. Ai është takuar dhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Gjatë ditës, Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje solemne për të.