Ish-agjenti i KGB, Yuri Nosenko, i cili ishte arratisur në Perëndim, ka konsideruar se kishte mundur të pengojë vrasjen e presidentit amerikan John Kennedy, pretendohet në dokumente të cilat i ka publikuar Arkivi Kombëtar i SHBA.
“Ndjejë se kisha mundur ta ndal Oswald’in”, citohen fjalët e Nosenko’s në dokumentet e dëshmisë mbi të dyshuarin kryesor për vrasje të John Kennedy, Lee Harvey Oswald.
Në dokumentin tjetër flitet se ish agjenti i KGB’së ka pohuar se në Kongresin amerikan punojnë njerëzit e shërbimeve speciale të sovjetikëve, transmeton gazetametro.net.
“Gjatë ekskursionit nëpër Uashington më 5 shkurt 1964, derisa kalonim afër Bibliotekës së Kongresit, objekti (Nosenko) ka treguar në ndërtesë dhe ka thënë: “Njerëzit tanë punojnë aty. Në pyetje të agjentit special të FBI’së, Stanley Luck: Njerëzit e kujt?, objekti është përgjigjur: të KGB’së”, pretendohet në dokument, transmeton gazetametro.net.
Nosenko ka vdekur në SHBA në vitin 2008 në moshën 80 vjeçare. Arkivi ka publikuar gjithsej 3.810 dokumente, prej të cilave 441 më herët ishin sekrete, derisa të tjerat janë publikuar pjesërisht të përmirësuara.
Dokumentet përmbajnë shënimet e FBI-së dhe CIA-s. Yuri Nosenko kishte pohuar se ai ishte kryesori për rastin e Oswald-it derisa ai jetonte në BRSS. Gjatë udhëtimit në Gjenevë, agjenti i KGB kishte kërkuar mbrojtje nga CIA me të cilën tashmë disa vite kishte bashkëpunuar dhe është arratisur në SHBA.
Qasja në dokumente më herët ishte e ndaluar në përputhje me ligjin të cilin e kishte miratuar Kongresi në vitin 1992.
Akti normativ i obligon të gjitha institucionet federale që t’i dorëzojnë Bibliotekës Kombëtare të gjitha dokumentet të cilat kanë lidhje me hetimin mbi vrasjen e Kennedy’t.
Sipas ligjit, të gjitha dokumentet duhet të publikohen 25 vite pas miratimit të ligjit.
John Kennedy u vra në Dallas më 22 nëntor 1963. Sipas versionit zyrtar, vrasësi ishte ish marinsi Lee Harvey Oswald.
Dy ditë më vonë Oswald’in e vrau Jack Ruby në stacionin policor në Dallas në momentin kur ishte dashur ta transferonin në burgun federal.