Ish-ambasadori i Kosovës: Ka ftohje të marrëdhënieve të Kurtit me SHBA-në

Prishtinë | 31 Tet 2022 | 18:52 | Nga Ekonomia Online

Amerika e Bashkimi Evropian janë shprehur të zhgënyera me Qeverinë Kurti.

Atyre s`u pëlqeu aspak vendimi i kësaj të fundit që vetëm e shkallëzoi afatin për targat, por nuk e shtyu atë për 10 muaj.

Ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, megjithatë nuk pret që të ketë pasoja “të rënda” për Kosovën si rezultat i mosdëgjimit të kërkesave të ndërkombëtarëve.

“Nuk pres që do të ketë pasoja të rënda. Nuk është diçka madhore. Nuk e ka rëndësinë për të shkaktuar pasoja”, theksoi Spahiu për “Front Online”.

Diplomati ka vërejtur diçka në raportet mes Kurtit e shtetit më të fuqishëm në botë.

“Ka një ftohje. Ekziston një ftohje në raportet SHBA-Kurti”, u shpreh Spahiu.

Andaj edhe ka një thirrje për shefin e ekzekutivit.

“Të ketë kontakte më të afërta me SHBA, të veprojë në bazë të udhëzimeve të partnerit tonë kryesor”, deklaroi Spahiu.

Thirrje të njëjtë kanë edhe nga Shoqata “Miqtë e Amerikës” në Kosovë.

Sipas kryetarit, Agim Rexhepi, Kosova duhet t` i forocojë marrëdhëniet me Amerikën.

Ai thotë se ato aktuale nuk janë në nivelin e dëshirueshëm.

“Po ashtu, me deklarata, veprime Qeveria Kurti para ardhjes në pushtet si subjekt politik ka bërë shumë gabime të njëpasnjëshme për e rreth SHBA, me të cilat ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor. Kurti po sillet sikur Kosova është Francë, Gjermani apo Itali”, theksoi Rexhepi.

Sa i përket afatit për targa, për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, kurse pas datës 21 prill s’mund të ketë targa ilegale në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme