Ish-Ambasadori Kastrati thotë se do të vazhdojë me padi kundër Presidentes Osmani

Prishtinë | 17 Jan 2023 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Në maj të vitit 2021, presidentja Vjosa Osmani, përmes një dekreti, e shkarkoi Avni Kastratin nga detyra e ambasadorit të Kosovës në Slloveni. Kundër këtij dekreti, Kastrati kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mirëpo u hodh poshtë. Njëjtë vendosën edhe Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, derisa të premten këto vendime u rrëzuan nga Kushtetuesja.

Gjykata Kushtetuese, të premten, ka konstatuar se vendimet e Gjykatës Themelore, asaj të Apelit dhe Gjykatës Supreme për padinë e ish-Ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati kundër dekretit për shkarkim të presidentes Vjosa Osmani janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht Nenin 31 dhe 6.

Këtë vendim të Kushtetueses, Kastrati e vlerëson si “të drejtë dhe të mirë”, derisa shton se ai do t’i vazhdoj procedurat juridike.

“Është e qartë që është bërë shkelje kushtetuese. Atë e ka konfirmuar, me votë unanime, Gjykata Kushtetuese. Mendoj që kanë punuar drejt dhe mirë dhe është mirë që është vlerësuar si e tillë. Unë do t’i vazhdoj procedurat juridike ashtu siç është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që të shkojë më tutje te gjyqi i shkallës së parë dhe t’i ndjek procedurat tjera juridike që më takojnë mua sipas ligjeve në fuqi”, tha Kastrati.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se hedhja poshtë e padisë së Kastratit i kishte pamundësuar atij të drejtën për “qasje në drejtësi” dhe se aktgjykimet e Supremes, Apelit dhe aktvendimi i Themelores nuk janë në përputhje me nenin e 31-të “E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm” të Kushtetutës dhe nenin e gjashtë “E drejta për një proces të rregullt” të Koventës Evropiane për të Drejtat e njeriut.

“Gjykata konstatoi se hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për “qasje në drejtësi” në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konkludoi se, Aktgjykimi [ARJ.nr.84/2021] i Gjykatës Supreme, i 22 shtatorit 2021, Aktvendimi [AA.nr.612/2021] i Gjykatës së Apelit, i 13 korrikut 2021, dhe Aktvendimi [A.nr.1297/2021] i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i 1 qershorit 2021, nuk janë në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Kujtojmë që bashkë me Kastratin, Osmani kishte “liruar” nga detyra edhe 12 ambasadorë të tjerë të Kosovës, duke vlerësuar se ishin të emëruar politik.

Të ngjashme