Ish-drejtoresha e Pediatrisë: Klinika e Oftalmologjisë ka faj pse u verbëruan fëmijët

Prishtinë | 12 Mar 2017 | 13:33 | Nga

Ka më shumë se një vit që prej kur u raportua lidhur me verbërimin e fëmijëve në njërën nga Klinikat e QKUK’së. U akuzua Klinika e Neonatologjisë, e cila nuk trajtuar me kohë sëmundjen e njohur si “Retinopatia premature”. Por vetëm një vit pas, në Shërbimin Klinik Spitalor të Kosovës është ofruar dorëheqja e parë lidhur me këtë çështje.
Ish-drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Mynevere Latifi-Hoxha, dje ka bërë publike dorëheqjen e saj nga kjo Klinikë. Por, për akuzat e verbërimit të fëmijëve ajo e drejton gishtin nga një tjetër Klinikë në QKUK. Sipas saj klinika e Neonatologjisë u akuzua pa të drejtë dhe se faji ishte te paaftësia e Klinikës së Oftalmologjisë për detektimin e sëmundjes te fëmijët.

“Jeni në dijeni se vitin e shkuar Klinika jonë u akuzua pa të drejtë dhe në mënyrë të shtrembëruar nga prindër dhe media për “verbimin e fëmijëve”. Me gjithë keqardhjen për të gjitha foshnjet që kanë pësuar, në reagimet tona, ne, si Klinikë, e kemi cekur sa herë se verbimi i foshnjeve nuk ka ndodhur si pasojë e moskujdesit të stafit të Klinikës së Neonatologjisë, apo keqtrajtimit”, thuhet në reagimin e ish drejtoreshës Mynavere Latifi-Hoxha.

Tutje, doktoresha Latifi Hoxha, shpjegon se Klinika e Neonatologjisë ka vepruar sipas protokolleve të fundit gjatë gjithë trajtimit të foshnjeve të lindura para kohe, dhe retinopatia është vetëm një nga komplikimet e mundshme të lindjes së parakohshme.

“Përkundër faktit se stafi i Klinikës së Neonatologjisë i ka dërguar foshnjet për skrining për retinopati në Klinikën e Oftalmologjisë në mënyrë të vazhdueshme, ka rezultuar se Klinika e Oftalmologjisë ka qenë e paaftë për detektimin dhe trajtimin e këtij problemi tek foshnjet”, thuhet në reagimin e ish drejtoreshës së Neonatolgjisë në QKUK.

Ndërkohë që mediat në Kosovë kanë raportuar për verbërimin e vazhdueshëm të fëmijëve në klinikën e Neonatologjisë.

Jeton e Shqipe Xheladini nga Fushë Kosova patën deklaruar për Gazetën Zëri, se lindja e trinjakëve u dha epitetin më të çmuar në jetë. Por, çifti sot janë të zhgënjyer kur përjetojnë dramën e vërtetë – verbimin e dy fëmijëve si rezultat i neglizhencës mjekësore dhe mosrespektimin e protokolleve mjekësore.

Prindërit nuk e kishin idenë se fëmijët e tyre derisa po mjekoheshin në Klinikën e Neonatologjisë çdo ditë po humbnin gjënë më të shenjtë të tyre – të parit. Babai dhe nëna e fëmijëve thonë se askush nuk i njoftoi për rrezikun e sëmundjes.

“Neve nuk na ka treguar askush se fëmijët mund të verbërohen. Dy fëmijët e mi sot janë të verbër si pasojë e neglizhencës mjekësore”, rrëfen historinë e dhimbshme për fëmijët e tij, Jeton Xheladini.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme