Drejtori i deritanishëm i Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj pas dorëheqjes së tij nga ky post, ka reaguar duke thënë se nuk ishte në vullnetin e tij personal, po një vendim i tillë sipas tij erdhi pas një presioni politik 7 mujor.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmetxhekaj ka treguar për rrugëtimin e tij ndër vite dhe të arriturat e tij sa ishte në krye të RTK-së, raporton Ekonomia Online.
Tutje ai ka thënë se ky rrëfim, dëshmon për një vullnet të jashtëzakonshëm për të transformuar dhe pasuruar RTK-në me program dhe ide të reja, pavarësisht mungesës së buxhetit dhe përkrahjes institucionale.
Ndryshe, ai ia uroi më të mirat Radio Televizionit të Kosovës.
Shkrimi i plotë:
Ishte dita e 94-të qysh kur isha emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. Bashkë më Arsimin, Festimin dhe Florën u nisëm herët për në Tiranë, me mision të veçantë që të takojmë homologët në Radiotelevizionin Shqiptar dhe të marrim modelin për themelimin e orkestrës së RTK-së dhe për Festivalin e Këngës.
Në gjithë kaosin e atij fillimviti dhe buxhetin e reduktuar kishim vendosur që të mos marrim meditjet që na takojnë, pasi na dukej se çdo cent duhej ruajtur për të mundësuar vazhdimin e funksionimit të RTK-së. Rrugës së kthimit diskutonim për vendimet e mëdha të marra gjatë 3 mujorit, përfshirë kontratat për shërbime, skemën e re programore dhe idetë për transformimin e RTK-së.
Takimi me ish drejtorin Enkelejd Joti ishte caktuar në orën 10:00 ndërkaq të 4-tit kishim me dhjetëra pyetje, me Festimin (në atë kohë drejtor i TV-së) që nuk lëshonte rend me pyetjet për festivalin dhe orkestrën.
Ky takim nuk zgjati shumë gjatë kthimit për në Kosovë, caktuam afatet dhe planin e veprimit për nisjen e festivalit (duke përfshirë negociatat me Ministrinë e Kulturës) dhe poashtu ideuam edhe organizimin e koncertit për Ditën e Paqes, dedikim për luftën në Ukrainë.
Me dinamikë të paparë dhe përkushtim maksimal, me 11 qershor 2022 organizuam koncertin ‘Thirrje për Paqe’ dhe në tetor 2023, nisëm projektin e madh nacional të ‘Festivalit të Këngës”.
Për të gjithë ju që po e lexoni këtë rrëfim, kjo mund të duket forma më e pazakonshme për të njoftuar për largim nga detyra, por edhe vet ky akt që i kam ofruar Bordit të RTK-së është i pazakontë.
Në fakt, ky rrëfim, dëshmon për një vullnet të jashtëzakonshëm për të transformuar dhe pasuruar RTK-në me program dhe ide të reja, pavarësisht mungesës së buxhetit dhe përkrahjes institucionale.
Ky akt nuk është dorëzim dhe nuk reflekton vullnetin personal për të mos vazhduar me drejtimin e RTK-së, por është kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoj me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik.
Në këtë kontekst, qëndrimi im i mëtutjeshëm në këtë pozitë kur ka mosbesim, mungesë të mbështetjes për procesin e reformës së RTK-së dhe Strategjinë Zhvillimore 2024-2027, është i pakumptimtë dhe do të sillte vetëm bllokadë e stagnim për transmetuesin publik.
30 muaj në menaxhim të RTK-së do të mbesin për mua nderi më i madh jetësor, ngase arrita t’i shërbej me sukses fuqizimit dhe rritjes së kredibilitetit të shtëpisë sime të dytë. Kjo dëshmohet edhe me hulumtimet e opinionit publik.
Jam krenar që gjatë kësaj periudhe, pavarësisht shkurtimit buxhetor, përmbusha në masë të madhe strategjinë e prezantuar në qershor 2022, kur edhe mu besua mandati për të udhëhequr me RTK-në.
Në më pak se 3 vjet, u zbatua projekti për Festivalin e Këngës, u organizuan dy koncerte fantastike të RTK-së, u hartuan dokumentet strategjike për reformën e RTK-së, nisëm shou televiziv, përmirësuam rrjetin transmetues të kanaleve të Radio Kosovës, përmirësuam dukshëm kushtet e punës, investuam në teknologji e studio të reja, hapëm zyret rajonale në Prizren dhe Mitrovicë dhe së shpejti edhe në Pejë e Gjilan, siguruam të drejta sportive, duke përfshirë ndeshjet e kombëtares së Kosovës në futboll, Ligën e Kampionëve dhe ligat e tjera të UEFA-së, transformuam mediat online dhe skemat programore në të gjitha njësitë, siguruam prezencën tonë në operatorët kabllorë në veri të Kosovës, përfituam projekte të shumta me partnerët ndërkombëtar, zbatuam projekte inovative teknologjike dhe shumë projekte të tjera që mundësuan avancimin dhe rritjen e kredibilitetit të RTK-së.