Ish-drejtorit të MASHT-it i gjenden armë e municion në shtëpi

Prishtinë | 05 Pri 2018 | 18:11 | Nga

I përfshirë në skandalin e 31 kontratave të falsifikuara derisa ishte në pozitën e Drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Arsimit, Xhemajl Buzukut, sot në shtëpinë e tij në Hajvali, iu gjetën armë e municion.

Prokuroria Speciale e Kosovës pati akuzuar Xhemajl Buzukun, se në cilësinë e drejtorit të prokurimit në MASHT, ka lidhur kontratë për 24 muaj me operatorin “Alb-Architect”, për projektin për mbikëqyrjen profesionale të objekteve kapitale të ndërtuara nga MASHT.

Gazeta Express merr vesh nga burimet brenda policisë së Kosovës se sot, të enjten, në shtëpinë e ish-drejtorit të Ministrisë së Arsimit, Xhemajl Buzuku, u gjet një mal me armë e municion.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni të kryer në orët e para të mëngjesit, në shtëpinë e Xh.B (Xhemajl Buzuku), pas një bastisjeje ka gjetur një armë automatike AK 47; një pistoletë të tipit Zoraki; një pistoletë të tipit Beretta, si dhe gjashtë fishekë të armës automatike AK 47.

Njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës, të enjten pas operacionit të ndërmarrë në fshatin Hajvali, pos kontrollimit të shtëpisë së Buzukut, bastisi edhe një lokacion tjetër, por aty nuk gjeti asgjë.

“Operacioni i bastisjes ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e: Një armë automatike AK 47; Një pistoletë e tipit Zoraki; Një pistoletë e tipit Beretta, si dhe Gjashtë (6) Fishekë të armës automatike AK 47”, thuhet në njoftimin e policisë për gjetjet në shtëpinë e ish-zyrtarit të MASHT’it.

Policia gjithashtu ka njoftuar se ndaj Xh.B (Xhemajl Buzukut) ka iniciuar rastin për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I njëjti është intervistuar nga ana e policisë për t’u proceduar më tej komfor rekomandimeve të prokurorit të shtetit.

Cila ishte afera që u përfshi ish-drejtori i Ministrisë së Arsimit?

Drejtori i kompanisë “ALB – Architect”, Afrim Demiri pati dorëzuar në Ministri të Arsimit 31 kontrata të falsifikuara në emër të disa ekspertëve vendës e të huaj dhe me këto kontrata ka përmbushur kriteret për të marrë një tender.

Bazuar në këto kontrata, MASHT-i ia ka vazhduar kontratën për mbikëqyrje të objekteve shkollore në ndërtim edhe për 12 muaj. Këtë vazhdim të kontratës, prokuroria pati thënë se e ka bërë Xhemajl Buzuku, në shtëpinë e të cilit sot u gjet armë e municion.

Mirëpo, Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2016, e pat shpallur Buzukun të pafajshëm për shkak të mungesës së provave.

PSRK’ja e kishte akuzuar Xhemajl Buzukun, se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, se kundërligjshëm bashkë me zyrtarë të tjerë të prokurimit, Fehmi Zylfiun dhe Bukurije Borovcin, kishin lejuar të kryhen pagesat në emër të kompanisë “Grafo-Lonin”.

Në këtë aferë, të përfshirë ishin edhe ish-ministri i arsimit, Ramë Buja dhe ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Xhavit Dakaj. Mirëpo, Buja ishte arsyetuar se nuk është jurist dhe nuk i ka ditur të gjitha procedurat.

Në 2017’ë, trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka konsideruar se nuk ka elemente se Buja dhe Dakaj kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në vitin 2012.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme