Përpos Nexhat Dumnicës, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka mundësi të sfidohet edhe nga një emër i madh i futbollit kosovar.
Ish-futbollisti i famshëm kosovar me përvojë ndërkombëtare, Kujtim Shala nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për të parin e shtëpisë së futbollit kosovar.
Ish-futbollisti i Prishtinës dhe Dinamo Zagrebit mendon se është koha që të bëhen ndryshime dhe avancim i futbollit kosovar dhe ai është i gatshëm ta japë kontributin e tij për këtë.
“A do të kandidoj për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës? Është një numër i madh që më pyesin: Pse Kujtim nuk po kandidon? Po e mendoj kandidimin tim!”, ka thënë fillimisht Shala në një bisedë me “Bota Sot”.
Me të në krye, Shala insiston se Federata e Futbollit do të bëhej shembull dhe se futbolli i këtushëm do të ecte përpara me hapa të mëdhenj.
“Ka ardhur koha të mendojmë për të mirën e futbollit të Kosovës. Kosova është industri e futbollit, ne nuk jemi Gjibraltar e as San Marino, ne jemi diku afër të fuqishmëve”, nënvizoi ai.
“A do të kandidoj? Do ta mendoj këtë punë. Ka kohë që e kam një presion nga dashamirët e futbollit, që kërkojnë të jem në krye të FFK-së. Nëse do të jem, iu garantoj se FFK do të jetë një shembull jo vetëm i rajonit. Ende nuk kam vendosur asgjë, po e mendoj. Faleminderit për të gjithë ata që më duan në krye të FFK-së dhe që vazhdimisht më pyesin pse nuk po kandidoj, që më thonë se aty e kam vendin. Të shohim”, ka përfunduar Shala.
Ai konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë në histori të Kosovës.
Ai ka luajtur ndër të tjera tek Liria e Prizrenit, Partizani i Beogradit, Prishtina, Dinamo Zagreb dhe në klubet franceze dhe ato gjermane.
Gjithashtu, ishte edhe pjesë e Kombëtares së Kroacisë.
Agim Ademi ka mandat në krye të FFK-së deri në vitin 2022.
Përpos Nexhat Dumnicës dhe Kujtim Shalës, ndërkohë pritet të dalin edhe emra tjerë të njohur që do ta synojnë pozitën e të parit të futbollit kosovar.