Ish-guvernatori i BQK-së përkujton Skënderbeun: Ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës

Prishtinë | 17 Jan 2024 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka përkujtuar 556-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Mehmeti ka thënë se Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Mehmeti ka thënë se Skënderbeu ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, teksa e quan si atleti i Shqiptarisë.

Postimi i plotë i tij:

Më 17 janar shënohet përvjetori i 556 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (6 maj 1405 – 17 janar 1468), heroit kombëtar të popullit shqiptar, Atletit të Shqiptarisē.

Si çdo vjet, më datën 17 janar, populli shqiptar e përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, në ditë e kalimit të tij në amshim. Atleti i Shqiptarisë.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e shpetoi Evropën dhe mē gjerē, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe me gjerē.

Pastaj duhet përmendur se, me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar – as para tij, as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.

Pra, në qiellin shqiptar emri i Gjergj Kastriotit ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve, për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin, vlerat dhe për t’i hapur rrugën e përparimit të mirëfilltë.

Të ngjashme