Gjatë të mërkurës Banka Botërore ka publikuar raportin sipas të cilit Kosova do të shënojë ngritje ekonomike prej 4 për qind brenda këtij viti.
Por ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se një gjë e tillë është vështirë e realizueshme.
Sipas Gërxhaliut ndikim negativ në rimëkëmbjen ekonomike ka shkaktuar mosstabilieteti politik në vend.
“Besoj që më e mira që ka ndodhur në Kosovë është që më në fund ke mi institucione stabile dhe një Qeveri e cila ka një shumicë. Në rend të dytë kuptohet që stabiliteti politik është esencial për një rritje ekonomike dhe në këtë drejtim besoj që sfidat do të jenë shumë të mëdha, por kur e kemi stabilitetin politik këto mund të ndryshojnë. Por duhet të jemi realistë në këtë drejtim nga fakti që në të kaluarën është bërë shumë pak për të mbështetur bizneset dhe ekonomitë familjare në Kosovë”.
“Derisa vendet e rajonit kanë bërë gara për mbështetje duke hartuar strategji dhe plane për të mbështetur sektorin privat në Kosovë shumë më tepër janë marr me agjendën politike dhe skena ka qenë enorm e politizuar dhe kur pandemia politizohet atëherë parashikimet për rritje ekonomike vërtetë janë shumë më tepër utopike se reale. Në këtë drejtim besoj që e tëra kjo duhet të ndahet në aspektin emergjent. E para është lufta kundër Covidit, vaksinimi dhe sigurimi i vaksinave dhe në aspektin e dytë kohor të mendohet për një rimëkëmbje, por rritja prej 4 për qind në këto rrethana aktuale ku edhe nuk i duhet fundi i pandemisë besoj që është një parashikim shumë optimist mirëpo shumë vështirë për tu realizuar në Kosovë”, është shprehur ai.
Poashtu nga Banka Ekonomike Botërore kanë paraparë ringritje ekonomike të plotë të Kosovën në vitin 2022. Kurse Gërxhaliu edhe këtë parashikim e ka konsideruar vështirë të realizueshëm.
Sipas tij, rikuperimi i ekonomisë me vetëm dy pako të implementuar nuk ka gjasa të ndodhë brenda këtij afati.
“Është e vërtetë që institucionet ndërkombëtare mund ta hartojnë strategji dhe të dalin me deklarata të ndryshme por ajo çka i duhet Kosovës është të bëhet një skenim i gjendjes aktuale dhe planifikimet e tilla të ndërkohen në bazë të indikatorëve ekzistues dhe në qoftë se kemi këtë rënie ekonomike, në qoftë se i kemi vetëm dy pako të cilat kanë qenë në funksion të mbështetjes së sektorit privat në kohë të pandemisë, atëherë do të jetë sfiduese. Vendet e rajonit kanë pesë ose gjashtë pako të implementuara dhe nëse atyre u duhen dy apo tri vite pas përfundimit të pandemisë për rikuperim ekonomik, Kosovës do t’i duhen dyfishi i asaj kohe”.
“I kemi pasur tri shtylla që kanë ndikuar negativisht në sanimin e pasojave të Covidit dhe në përshpejtimin e procesit të rikuperimit, e para ka qenë mostabiliteti politik e dyta brenda një viti kalendarik kemi pasur tri qeveri dhe dy palë zgjedhje dhe e treta në aspektin e rimëkëmbjes kanë qenë dy masa. Në mars të vitit 2020 pako emergjente dhe në tetor a nëntor 2020 ka qenë pako për rimëkëmbje që nuk ka qenë e mjaftueshme sepse ka pasur të bëjë vetëm me 10 përqindëshin e shfrytëzimit nga trusti pensional, prandaj për sanim dhe shërim të ekonomisë duhet të behet më tepër. Pandemia ka qenë e politizuar dhe një rritje e tillë ekonomike është vështirë e realizuar”, ka përfunduar Gërxhaliu për EO.