Ish-kryetari i Gjilanit, Qemaj Mustafa dhe 38 të akuzuarit tjerë, të martën, janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale “krim i organizuar”, “shpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” si dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Në shqyrtimin fillestar, që për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, është mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal në Pejë, ish-kreu i Gjilanit dhe të tjerët, janë deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzat që u vihen në barrë.
Pas leximit të aktakuzës dhe deklarimit të të akuzuarve, mbrojtësit e të tyre, kanë deklaruar se në afatin ligjor do të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sylë Lokaj, ka konstatuar se pas pranimit të këtyre kërkesave, përgjigjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Agron Bajrami dhe pas vendimit nga ana e gjykatës, do të caktohet edhe seanca e radhës.
Ndërsa, është anuluar seanca e paraparë të mbahet më 22 nëntor 2017, në ora 10:00.
Paraprakisht, në seancën e së martës, mbrojtësit e disa prej të akuzuarve kanë deklaruar se nuk e posedojnë aktakuzën e përmirësuar nga ana e prokurorisë, si dhe nuk i kanë të gjitha shkresat e lëndës.
Mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Mustafa, avokati Ismet Shufta, ka deklaruar se edhe përkundër se aktakuza është pothuajse e njëjtë me atë paraprake, ai ka thënë se duhet ta posedojnë atë.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lokaj më pas i ka pajisur mbrojtësit e të akuzuarve me aktakuzën e përmirësuar të 19 qershorit 2017, e gjithashtu edhe prokurori Bajrami, të njëjtit i ka ftuar që t’i marrin të gjitha shkresat e lëndës.
Ndërsa, avokati Selim Lajçi, mbrojtës i të akuzuarit Behar Mehmeti, ka deklaruar se sipas ligjit kjo seancë nuk është dashtë të mbahej fare.
“Sipas meje kjo seancë duhet të shtyhet, ngase unë tani në këtë sallë e pranova aktakuzën e përmirësuar dhe sipas ligjit, neve si mbrojtës, duhet të na jepet kohë që ta analizojmë aktakuzën e përmirësuar. Sipas meje, prokurori nuk i ka përmbush detyrimet e tij ndaj mbrojtësve”, tha avokati Lajçi.
Ndryshe, më 2 gusht të këtij viti “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar për këtë rast. Gjykatësi Lokaj, me aktvendim e kishte hudhur si pjesërisht të parregullt aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikes së Kosovës, për sa i përket pikave . I, II, III, IV, V, VI, VII, VIU, X, XI, XII, XIV, XV, XVI, XVII, XVIII. Ndërkaq, kanë mbetur në fuqi pikat IX dhe XIII të aktakuzës.
Por, më 22 shtator, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sipas të cilit, Mustafa dhe të tjerët kthehen në bankën e të akuzuarve për të gjitha pikat e aktakuzës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazim Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa, të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.
Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.
Ish-kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe në një rast tjetër, i cili në seancën e shqyrtimit fillestar që ishte mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan, më 6 nëntor të këtij viti ishte deklaruar i pafajshëm, për akuzën me të cilën ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan./betimiperdrejtesi/