Ish-ministri britanik: Shtetet e Ballkanit janë trajtuar në mënyrë të turpshme nga BE-ja

Prishtinë | 15 Qer 2022 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri britanik për Evropën, Denis MacShane, ka akuzuar Bashkimin Evropian për sjellje në mënyrë të turpshme ndaj shteteve të Ballkanit.

Në një letër të publikuar në “Financial Times”, MacShane ka thënë se BE-së i pëlqen ta shohë veten si lojtare botërore, por “fanatizmi nacionalist mendjengushtë kundër popujve të Ballkanit është i turpshëm”.

“Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia e Qiproja refuzojnë ta njohin ekzistencën e Kosovës më shumë se 20 vjet pas luftërave të Millosheviqit. Është sikur në fund të viteve të ’60-a Franca e Gjermania ende të refuzonin ta pranonin statusin e njëra-tjetrës”, ka thënë ai në këtë letër.

“Vladimir Putin (presidenti i Rusisë) sigurisht mbështet pikëpamjen e Serbisë se Kosova ende është krahinë e shkëputur”, ka shkruar ai më tej duke shtuar se Kremlinit i pengon ideja e evropianizimit të Ballkanit, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

MacShane ka përmendur edhe liderë e ish-liderë evropianë për qasjen ndaj shteteve të Ballkanit.

“Presidenti Emmanuel Macron propozoi afrimin e Ballkanit Perëndimor në një fjalim të madh në francez, Emmanuel Macron, në Sorbonne më 2017, por hasi në kundërshtim të Spanjës, Greqisë e shteteve tjera dhe në interesin në venitje të Angela Merkelit e cila dha përshtypjen se Ballkani nuk ia vlente energjinë dhe angazhimin e asnjë kancelari gjerman. Fatkeqësisht, Macroni ndryshoi kursin, duke e trajtuar Shqipërinë në mënyrë shumë të padrejtë në kohën kur të djathtët në Francë nisën mërmëritjen për më shumë myslimanë në Evropë, edhe nëse myslimanët e Ballkanit shijojnë rakinë e tyre, verën e birrën dhe u japin grave të drejtat e njëjta sikur ata që jetojnë në Alpe”, ka shkruar më tej MacShane.

MacShane ka qenë ministër i Britanisë për Evropën në periudhën 2002-2005.

Të ngjashme