Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, tha se ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka dëmtuar zhvillimin e shumë proceseve energjetike. Tutje ai thekson se është e nevojshme që të ndërtohet një termocentral modern, duke shtuar se “Kosova A” duhet urgjentisht të mbyllet, raporton Ekonomia Online.
Raportet nga Parlamenti Evropian, Kosovën nuk e nxjerrin mirë në menaxhimin e ambientit dhe energjisë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Lluka, tha se nuk ka pasur ndonjë ndryshim thelbësor për të përmirësuar menaxhimin e ambientit dhe të energjisë.
“Po realisht nuk ka pasur ndonjë ndryshim thelbësor për ta përmirësuar ambientin dhe sektorin energjetik. Ne sot kur po flasim akoma jemi me disa politika të vjetra që tash në vendet perëndimore veç kanë marrë masa më drastike. Ndër to janë investime më radikale në sektorin e energjisë së efiçiencës. Pra ne kemi nënshkruar marrëveshje ku jemi zotuar që Kosova t’i përmbush disa kritere sa i përket kësaj por akoma nuk ka përfunduar”.
“Po ashtu ngrohja e shtëpive gjatë dimrit me thëngjill dhe një gjë e tillë është ndotësi më i madh gjatë kohës së dimrit, ku të gjithë qytetarët vuajnë nga ndotjet që i kemi dhe nuk është bërë një plan konkret në menaxhimin e kësaj situate, disa propozime i kemi bërë dhe ka raporte të mjaftueshme, por që nuk është marrë asnjë masë deri tani dhe kjo për shkak të ndërrimit të qeverive që nuk kanë fokus në ambient dhe energji”, tha Lluka.
Tutje, ai propozon që hidrocentrali i ri të ndërtohet në bashkëpunim me sektorin privat, jo të shfrytëzohen paratë publike.
“Plani ka qenë për ndërtimin e “Kosova e re”, siç kemi marrë vesh publikisht ai plan ka dështuar për shkak të mos përgjegjësisë edhe nga qeveritë në largim sepse fokusi nuk ka qenë aty, por prapë mendoj që janë dy gjëra kritike, e para Kosova A duhet të mbyllet sepse është një nga asetet më të vjetra në vend, dhe kemi zotim nga BE se ne do të marrim hapa për mbylljen e saj dhe kjo normalisht nuk mund ta lërë Kosovën pa energji, nuk mund të varemi vetëm në Kosovën B, dhe kjo duhet të ndiqet më një plan më konkret për ndërtimin e një termocentrali modern. Ideja ime është që të bëhet gjithmonë përmes sektorit privat sepse mund ta shfrytëzojmë kapitalin për ta ndërtuar një gjë të tillë dhe jo paratë publike, dhe tash ta shohim politikën e ardhshme”, theksoi ai.
Ish-ministri Lluka tha nëse ka bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar, ndihmat për këtë sektor mund të rriten.
“Këto procese nëse shfrytëzohen mirë, nëse ka bashkëpunim të ngushtë ndihmat edhe mund të rriten. Unë jam i sigurt që sa i përket ambientit e menaxhimit të energjisë këtu ka qasje në mekanizma financiar si grante por edhe kredi të buta të panumërta, por kërkohet një koordinim më i mirë me faktorin ndërkombëtar, përmendëm edhe ndërtimin e termocentralit dhe përfshirjen e sektorit privat”, përfundoi Lluka.