Tetë pjesëtarë serbë të FSK-së kanë paraqitur dje dorëheqjen e tyre nga kjo Forcë.E ky vendim i tyre nuk mund të quhet i rastësishëm, pasi që një kohë të gjatë krerë shtetërorë serbë përmes deklaratave të dhëna dhe veprimeve të ndërmarra kanë bërë thirrje që komuniteti serb mos të integrohet në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kështu deklaroi dje për lajmi.net edhe zëdhënësi i ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala.
“Shkak i paraqitjes së kësaj kërkese është presioni nga shteti serb, nga disa forca politike ndoshta edhe brenda në Kosovë. Mediat janë të njoftuara për rastet e ndalimit nga shteti serb për këta pjesëtarë, pastaj dëmtimi i pronave dhe rastet e shumta të kërcënimeve që janë bërë edhe ndaj familjeve të tyre”, u shpreh dje Shala.
E mendim të ngjashëm ka edhe ish ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.
Ai për lajmi.net tha se në bazë të informacioneve jo të konfirmuara ushtarët serbë në FSK marrin pension nga Beogradi.
Tutje, Demolli tha se pikërisht komuniteti serb është pengesa më e madhe e transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur.
“Edhe pse s’kam informacion, ata ushtarë pensionin e kanë nga Beogradi, pikërisht Beogradi ka ndiku dukshëm në deputetët e Kuvendit të Kosovës të komuniteti serb të cilët gjatë gjithë kohës kanë pengu formimin e FSK-së në Forcë të Armatosur”,u shpreh Demolli.
Demolli shtoi se qysh nga koha kur ai ishte ministër ishte bërë përpjekje e madhe për integrimin e komunitetit serb në FSK, mirëpo sipas tij lojërat politike të Beogradit nuk e kanë lejuar asnjëherë një gjë të tillë.
Ai po ashtu tha se çështja e transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, duhet të jetë gjithsesi në tavolinën e diskutimeve në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Duhet të jemi të qartë vendorët dhe ndërkombëtarët e sidomos presidenti i cili në bisedime me Serbinë që ta ketë në tavolinë edhe çështjen e formimit të FSK-së dhe transformimin e saj”, tha Demolli për lajmi.net.
Sipas tij, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i takon ta dërgojë këtë proces deri në fund, pasi siç thotë ai, ishte pikërisht presidenti ai që premtoi se transformimi i FSK-së do të bëhet përmes ligjit.
“Presidenti duhet ta dijë që transformimin janë tu e pengu pikërisht serbët, sepse të tjerët janë të gatshëm për këtë transformim, kurse minoriteti serb përkundër përpjekjeve janë të kontrolluar nga Beogradi”, përfundoi Demolli.
Kujtojmë se përveq deklaratave të krerëve shtetërorë serbë, dy pjesëtarë të FSK-së nga ky komunitet ishin arrestuar në territorin e Serbisë jo shumë kohë më parë.