Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, vlerëson se Vetëvendosje dhe Qeveria Kurti 2 kanë hequr dorë nga premtimet gjatë fushatës për barazi sociale dhe se tash që janë në pushtet nuk e kanë hallin e qytetarëve.
Bajrami në një deklaratë për KOHËN, ka kritikuar Qeverinë Kurti për uljen e mbështetjes për familjet në asistencë sociale dhe për pensionistët.
“Parullat e VV-së janë në kundërshtim të plotë me vendimet e qeverisë së VV-së. Përkundër faktit se Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet me kartën e barazisë sociale dhe të luftës kundër varfërisë, vendimet e ditës së djeshme tregojnë diçka tjetër. Tregojnë se VV-ja tjerë janë dhe tjerë hiqen për më tepër tregojnë se ata nuk e kanë hallin e qytetarëve të varfër të vendit. Në pikun e pandemisë Qeveria Kurti, uli mbështetjen për familjet në asistencë sociale 26,768 sosh, nga 100% shtesë në 30% shtesë. Në pikun e pandemisë, Qeveria Kurti uli shtesën për pensionet nën 100 euro nga 30 euro shtesë në 10 euro shtesë. Në pikun e pandemisë Qeveria Kurti uli shtesat për stafin shëndetësor, kurrë nuk kemi pasur të infektuar me shumë. E ajo për të cilën brengoset shumë LDK është trajtimi që qeveria po i bën sektorit privat”, ka thënë Bajrami.
Ajo e ka kritikuar Kurtin, që sot një muaj mori pushtetin, se mbyllja e pjesshme e ekonomisë për dy javë, shkaktoi humbje të mëdha.
“Ndarja e 6 milionë eurove për të kompensuar dëmet nga mbyllja është shumë qesharake mos të flasim këtu për kriteret dhe procedurat dhe kohën që do të merr kjo mbështetje”, ka thënë ajo.
E ka kritikuar edhe për vendime të tjera dhe për vaksinat, përkatësisht mossigurim të vaksinave.
“Shfuqizimi i vendimit të qeverisë nr. 06/58, i datës 14.01.2021 krijon pasoja për bizneset dhe qytetarët. Fondi i rimëkëmbjes ekonomike i buxhetuar në Ligjin e buxhetit të vitit 2021 (Ligj ky i votuar edhe nga LVV-ja), prej 222.4 milion është shpërndarë nëpër sektorë dhe kategori përmes këtij vendimi. Ky vendim ka krijuar obligime dhe pritje nga ana e qytetarëve dhe bizneseve. Qeveria duhet të tregojë se çka do të ndodhë me fondet e parapara me këtë vendim për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në shumë prej 45 milionë Euro. Çka do të ndodhë me fondet e parapara për blerjen e vaksinës. Vaksina është rimëkëmbja, pa vaksinim të qytetarëve nuk ka rimëkëmbje dhe mbyllja është fatale më shumë se vetë pasojat e pandemisë. Mandej çka do të ndodhë me 10 milion euro që kanë qenë të ndara për punëtoret që kanë humbur vendet e punës. Të gjitha këto dhe masa të tjera qeveria i ka shfuqizuar pa ofruar asnjë alternativë”, ka thënë deputetja e LDK-së.