Në harresë institucionale ka qenë në dy vjetët e fundit ish-objekti i bibliotekës “Hizvi Sylejmani”, në lagjen Tophane në kryeqytet.
Godina e vjetër, e cila ka mbetur e braktisur pas zhvendosjes së bibliotekës “Hivzi Sylejmani”në objektin e ri në lagjen Dardania, gjatë kësaj periudhe, është dëmtuar, njësoj sikur edhe inventari brenda saj, raporton 038 në KTV.
Por, kjo hapësirë që momentalisht është në gjendje të tmerrshme, pritet që së shpejti të shërbejë si shtëpi e veprave të Ibrahim Kodrës dhe si seli kryesore e Muzeut rishtas të themeluar të Prishtinës.
Për këtë, tashmë kanë nisur matjet që do t’i paraprijnë restaurimit, i cili do të financohet nga Fondacioni Ibrahim Kodra.
Lëvizje janë bërë edhe në anën ligjore, kur javën e kaluar Kuvendi Komunal i miratoi statutin Muzeut të Prishtinës, duke i hapur rrugë funksionalizimit të këtij institucioni, që, për pak muaj, mund ta ketë drejtorin e parë.
Ish-objekti i bibliotekës ku do të vendosen veprat e Ibrahim Kodrës, sipas drejtorit të Kulturës në Prishtinë, do të jetë vetëm një prej tri objekteve fillestare të muzeut të kryeqytetit.
Ai ka thënë se pos muzeut “Ibrahim Kodra”, ku do të jetë selia kryesore e Muzeut të Prishtinës, do të jetë edhe Muzeu i shkollës-shtëpi (te Hertictë) dhe Muzeun përkujtimor të luftës së fundit.
Rugova shton se tashmë kanë nisur përgatitjet që vitin tjetër të hapen ekspozita në dy muze: njëra për veprat e Ibrahim Kodrës dhe tjetra për sistemin paralel të shkollimit në vitet e 90’ta.