Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli thotë se nuk i është dërguar një ftesë kryetares aktuale të shtetit, Vjosa Osmani për një vizitë në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Pacolli u shpreh se e dinte që Osmani do e refuzonte një vizitë të tillë.
“Në Kosovë kemi ftuar edhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu, ish-presidenten Jahjaga, të cilët për arsyet e tyre nuk i janë përgjigjur kësaj ftese. Ka mbetur që vizitën ta bëj unë me ish-presidentët dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë. Jo, ajo nuk ka pasur ftesë për arsye se ne e kemi ditur se një vizitë e tillë do të refuzohej nga zonja presidente Osmani”, theksoi ai.
Më 29 shtator, 3 ish-presidentët e Shqipërisë dhe ish-kryeministri Pandeli Majko do të vizitojnë ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Iniciativa është ndërmarrë nga ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili do të jetë pjesë e kësaj vizite.
Qëllimi i kësaj vizite është solidarizimi me ish-krerët e UÇK-së që janë të paraburgosur në Hagë dhe mbështetja e kauzës dhe luftës së drejtë të Kosovës për liri dhe pavarësi kundër Serbisë.
Më herët në Hagë ka qenë kryeministri Rama dhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.