Ish-presidenti i Pakistanit dënohet me vdekje për tradhti

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 19:57 | Nga Ekonomia Online

Një gjykatë speciale në Pakistan gjeti fajtor ish-Presidentin dhe sundimtarin ushtarak Pervez Musharraf për tradhëti të lartë dhe e dënoi atë me vdekje. Kjo është hera e parë që një diktator ushtarak gjykohet dhe dënohet nga një gjykatë pakistaneze.

Musharraf, i cili aktualisht po trajtohet në një spital të Dubai, erdhi në pushtet përmes një grushti ushtarak në vitin 1999. Veprimet e tij u përligjën fillimisht nga gjykatat e më pas parlamenti. Por shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 2007 bëri që ndaj tij të ngriheshin akuza.

Çështja ndaj Pervez Musharrafit është zvarritur nëpër gjykata që nga viti 2014, kohë që daton me ngritjen e akuzave ndaj tij. Në vitin 2016 ai u lejua të largohej nga vendi për trajtim mjekësor, falë asaj që besohet se ishte presion i ushtrisë së fuqishme të vendit.

Organet e drejtësisë së Pakistanit i kërkuan disa herë Pervez Musharrafit të kthehej për të dëshmuar. Por ish-presidenti përmendte gjendjen shëndetësore si arsye për të mos u kthyer.

Në fillim të këtij muaji nga një spital në Dubai Musharrafi shprehu mosbesim ndaj procesit gjyqësor duke thënë se po viktimizohej.

Partitë kryesore të opozitës në vend e përshëndetën vendimin e gjykatës duke e cilësuar si një mburojë kundër çdo grushti shteti në të ardhmen. Më shumë se gjysmën se ekzistencës së tij si shtet Pakistani e ka kaluar nën sundimin e drejtpërdrejtë ushtarak.

Bilawal Bhutto Zardari, udhëheqës i Partisë Popullore të opozitës dhe djali i ish-Kryeministres së vrarë Benazir Bhutto, shkruant në rrjetin social Twitter “demokracia është hakmarrja më e mirë”, transmeton express. Qeveria, e cila shihet si e afërt me ushtrinë, nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare. Megjithatë një nga ministrat e kabinetit qeverisës shprehu rezerva lidhur me vendimin.

“Ne duhet të bashkojmë vendin. Përse të merren vendime që e përçajnë vendin dhe institucionet?!”, shkruante Fawad Chaudhry, ministër për Shkencën dhe Teknologjinë.

Analistët politikë thonë se zbatimi i dënimit mund të mos jetë i lehtë në një vend ku ushtria ende konsiderohet si institucioni më i fuqishëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme