Ish-prokurorja e akuzuar: Ndjej keqardhje për kolegët e mi

Prishtinë | 02 Maj 2018 | 18:59 | Nga

Ish-prokurorja e akuzuar Vahide Badivuku tha se ndjen keqardhje për kolegët që kryen hetimin ndaj saj.

Gjykata e Apelit ka shqyrtuar sot rastin e korrupsionit për të cilin akuzohet ish- prokurorja Vahide Badivuku, rast ky i shënjestruar për liberalizim të vizave.

Pjesë e këtij procesi gjyqësor është edhe Idriz Kelmendi.

Pasi gjykatësja referuese, Tonka Berishaj, iu referua pikave kyçe të shkresave të lëndës, fjalën e morën edhe avokatët mbrojtës të dy të akuzuarve, derisa nga Prokuroria e Apelit nuk ishte prezent askush në seancë.

Paraprakisht, ankesë me shkrim kundër aktgjykimit kishte ushtruar edhe prokuroria, por edhe e akuzuara Vahide Badivuku, me arsyetimin se aktgjykimi përmban shkelje esenciale të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet, Badivuku të lirohet, apo të kthehet çështja në rigjykim.

Avokati i Badivukut, Ramë Dreshaj, tha në sallë të gjykatës tha se “nuk ka polici në botë që e krynë simulimin si në rastin konkret”.

Pas tij, fjalën e mori edhe avokati i Idriz Kelmendit, Besnik Berisha, i cili pati akuza kundrejt pozitës së Isak Smakollit në këtë proces gjyqësor.

Berisha pretendonte se Smakolli ka pasur status të dyfishtë, gjë të cilën nuk e lejon ligji.

“Në momentin kur i jepet dikujt statusi i dëshmitarit bashkëpunues i hiqet statusi i të akuzuarit, por që t’i falet dikujt vepra penale e fajdesë dhe të përsëritet dëshmia e tij për ti gjykuar të tjerët, kjo nuk ka logjikë”, tha Berisha.

Avokati Smakollin e cilësoi mercenar.

“Ai për mua ka qenë mercenar i trajnuar, i është ofruar mundësia për t’ ia hequr veprën penale. Isak Smakolli si dëshmitari kryesor qe mbështetet prokuroria thotë që ka dhënë pare e ku ta di unë, ishte një referim i detajuar”, tha Berisha.

“Ai më tutje deklaroi se e lë zanatin nëse dikush mund ta gjejë dikë që është edhe dëshmitar edhe i akuzuar.

Nëse e gjen dikush që me një status është edhe dëshmitar bashkëpunues edhe i bashkakuzuar, e lë zanatin, ose duhet të jetë i akuzuar ose dëshmitar”, tha Berisha.

Ai konstatoi se aktakuza ndaj ish-prokurores Badivuku bazohet pikërisht në dëshminë e Smakollit.

“Aktgjykimi në këtë rast mbështetet kryekëput në deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues- bashkë-akuzues Isak Smakollit dhe në atë të Vahide Badivukut. Ligji ndalon që të mbështetet aktgjykimi në dëshmitarin bashkëpunues”, tha Berisha.

Avokati kontestoi si provë edhe një telefon të sekuestruar.

“Zonja Badivuku në asnjë moment nuk ka qenë në betim, ka pasë të drejtë të thotë çfarë të don, njëjtë e ka pasë edhe Isak Smakolli, sepse për të ju falur fajdeja i është nxjerrë ky fraksion nga dëshmia. Provë tjetër është telefoni i sekuestruar, aty nuk ka provë inkriminuese, e në anën tjetër është administruar si provë”, tha Berisha.

Ai aktgjykimin e konsideroi totalisht absurd.

Berisha kërkoi nga apeli anulimin e aktgjykimit të themelores.

Kërkesa jonë është që të anulohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rigjykim për arsyet e lartcekura. Besoj se me një dënim të kushtëzuar, ose në një dënim që zvogëlohet në 6 muaj dhe konvertohet në para, jam i bindur, e nënvizoj edhe njëherë jo se nuk besojmë në pafajësi”, theksoi Berisha.

Nëse nuk ndodh hedhja poshtë e aktgjykimit të themelores, Berisha kërkoi që Gjykata e Apelit ta zbusë dënimin e Idriz Kelmendit, raporton kallxo.com.

“Nëse do të aprovohet aktgjykimi ju lus që dënimi të zbutet në kushte të posaçme, por sigurisht se lidhen me gjendjen shëndetësore të Idriz Kelmendit, statusin familjar dhe si mbajtës i vetëm i familjes”, tha Berisha.

Pas avokatëve edhe e akuzuara Vahide Badivuku deshi të deklarohej me gojë në seancë.

“Nuk kam të bëj fare me këtë rast, pikë ka me mbetë pa marrë parasysh qysh përfundon ky gjykim, pikë ka me mbetë që si kom pa qata numra, ushtrim ndikimi e panevojshme, prapë është vërtetuar se është kontrolluar ajo landë edhe më lart, pastaj prokurori ka vendosë që i ka liruar. Jam vetë prokurore, ndjej keqardhje për një procedurë hetimore të tillë për kolegët e mi”, tha Badivuku.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, prokurorja Badivuku në periudhën kohore maj – gusht 2015 në cilësinë e prokurores së krimeve të rënda në Prokurorinë e Mitrovicës për të përfituar për vete ka kërkuar dhe pranuar dhuratë “në mënyrë të tërthortë”.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, ata akuzoheshin për veprën e ushtrimit të ndikimit, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte ricilësuar veprën e tyre në dhënie ryshfeti.

I pari ishte dënuar me një vit burgim, ndërsa të dytit i është vërtetuar dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh, thuhej në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ky rast fillimisht ishte vendosur nga Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2016, ndërsa në shtator të vitit 2016 Apeli e kishte vërtetuar vendimin e Themelores.

Ndryshe nga Apeli kishte vendosur, Gjykata Supreme e Kosovës e cila në maj të vitit 2017 e kishte kthyer në rivendosje këtë rast në Gjykatën e Apelit.

Rasti i Ish-prokurores së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku, si njëri nga rastet e shënjestruara, u përmend disa herë nga krerët e sistemit të drejtësisë në vend si njëri nga rastet e korrupsionit që tashmë kanë përfunduar me aktgjykim dënues.

Megjithatë, për më shumë se 3 vjet ky rast nuk po arrin të marrë formën e prerë.

Gjykata Supreme e Kosovës e kishte kthyer në rivendosje këtë rast javën e kaluar, ndërsa nga vendimi i Supremes shihet se aktgjykimi i kësaj çështjeje është prishur për të dytën herë radhazi, nga një lëshim procedural në Kolegjin e Apelit.

Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me këtë rast, shihet se saktësisht për të njëjtën shkelje, gjyqtarë që nuk kanë pasur të drejtë të vendosin në Gjykatën e Apelit e kanë bërë këtë duke shkaktuar prishjen e aktgjykimit dhe prolongimin e rastit.

Shkelja e përsëritur

Ish-prokurorja Badivuku dhe dy të akuzuarit e tjerë të rastit, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 5 prill 2016 ishin gjetur fajtorë dhe ishin dënuar.

Gjykata Themelore i kishte gjetur fajtore Badivukun për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe e kishte dënuar me 3 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë.

Kelmendi dhe Smakolli ishin shpallur fajtorë për ushtrim ndikimi, Kelmendi ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burg, ndërsa i dyti me 3 mijë euro gjobë.

Këto dënime ishin vërtetuar nga Gjykata e Apelit e cila më datë 19 shtator 2016 kishte refuzuar ankesat e mbrojtjes.

Këto vendime ishin prishur nga Gjykata Supreme e Kosovës e cila kishte gjetur se dy gjyqtarët e Kolegjit të Apelit që kishin vendosur lidhur me ankesën ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore, Vahid Halili dhe Abdullah Ahmeti kishin marrë pjesë më herët në kolegjin që kishte vendosur sipas ankesës ndaj aktvendimit për hedhje të aktakuzës në të njëjtën çështje.

Ky veprim ishte konsideruar si shkelje esenciale nga Supremja sepse në marrjen e vendimit në shkallë të dytë kishin marrë pjesë gjyqtarët që duhej të përjashtoheshin.

Megjithatë, edhe pse duke e ditur vendimin e Gjykatës Supreme, edhe në rivendosje u përsërit shkelja e njëjtë nga Gjykata e Apelit, por këtë herë nga një gjyqtar tjetër.

Në shqyrtimin para Apelit në rivendosje të mbajtur më datë 29 maj 2017, Gjykata e Apelit e vërtetoi pjesën e aktgjykimit lidhur me të akuzuarën Vahide Badivuku ndërsa veprën për të cilën akuzoheshin Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, e rikualifikoi nga ushtrimi i ndikimit në dhënie ryshfeti.

Gjithashtu, të akuzuarit Idriz Kelmendi iu shqiptua dënimi me 1 vit burgim.

Mirëpo, edhe kësaj radhe, Gjykata Supreme gjeti se në seancën e Apelit në rivendosje kishte marrë pjesë gjyqtari, Driton Muharremi i cili më herët kishte qenë anëtar i kolegjit në marrjen e aktvendimit lidhur me këtë çështje.

Gjykata Supreme këtë e konsideroi përsëri si shkelje të dispozitave dhe e ktheu çështjen në rivendosje.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme