Ish-shefi i Antikorrupsionit, Hasan Preteni, është emëruar anëtar i bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Termokos”.
Veç Hasan Pretenit, në bordin e emëruar rishtas janë edhe Adnan Preniqi, Fatmir Sopi e Driton Hyseni.
Vendimi ishte marrë më 2 korrik, në mbledhjen që kishte mbajtur komisioni i aksionarëve për ndërmarrjen publike lokale “Termokos” në përbërje të Ardian Ollurit, Arbenita Murselit e Nol Nushit. I njëjti është bërë publik në faqen e kësaj ndërmarrje.
Koha.net kishte kontaktuar me Pretenin, por ai kishte thënë se nuk është në dijeni për këtë emërim.
Më parë Preteni kishte qenë drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit. Pasi kishte përfunduar mandatin aty kishte hyrë në partinë politike “Alternativa”, të Mimoza Kusari Lilës e Ilir Dedës, në maj të vitit 2017.
Kjo parti është në koalicion me Shpend Ahmetin në qeverisje të kryeqytetit. Koalicioni është lidhur me 14 qershor të vitit 2018, në bazë të të cilit Alternativa ka marrë të drejtojë Drejtorinë për Mirëqenie Sociale, e cila është ndarë nga ajo që ishte bashkë Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Alternativa përfaqësohet në Kuvendin Komunal të Prishtinës me asamblistin, Rifat Deri.