Testimet molekulare PCR për virusin COVID-19, do të nisin së shpejti edhe në Institutin e Shëndetit Publik në Pejë. Drejtoresha e këtij Instituti, Adnora Nurboja, i ka thënë KOHËS të martën se pajisjet e nevojshme për ta punuar këtë test tashmë kanë arritur dhe aktualisht, sipas saj, janë duke u përgatitur hapësirat e laboratorit ku do të vendoset aparatura.
Por për t’ia nisur testimeve, duhet të montohet aparatura, të cilën punë do ta bëjnë ekspertë që do të vijnë nga jashtë. Sa më shpejtë që ata vijnë, aq më shpejtë, siç thonë në Institutin e Shëndetit Publik në Pejë edhe do të nisin testimet.
Siç thotë Nurboja, stafi i Institutit të Shëndetit Publik në Pejë, që do të merret me këto testime, është trajnuar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
Testimet pritet të nisin në këtë institut më së largu brenda dy javësh, pasi ekspertë nga jashtë për montimin dhe funksionalizmin e aparaturës pritet të vijnë brenda një jave.
“Kur të nisim testimet PCR këtu, në Institut do të kemi mundësi të kryejmë edhe më shumë teste sesa tani që janë duke u kryer dhe padyshim që edhe rezultatet do të jenë më të shpejta”, tha Nurboja.
Prej që ka nisur pandemia në muajin mars e deri dje, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Pejë, në komunën e Pejës janë dignostikuar 1 mijë e 824 persona me Covid-19. Prej tyre 78 kanë vdekur dhe 1 mijë e 286 janë shëruar. Aktualisht aktivë janë 460 raste.
Ndërsa, testimet PCR për Covid-19 përveç në Pejë do të nisin brenda këtij muaji edhe në Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë, ku gjithashtu janë dërguar aparaturat e reja për kryerje të testimeve molekulare për Covid-19. Këto aparatura, të blera përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare nga huamarrja nga Banka Botërore, të shoqëruar me kite, teste serologjike, material shpenzues dhe pajisje të tjera, kanë kushtuar rreth 1 milion euro.