Ishte nisur me prindërit drejt Evropës, 4-vjeçarja siriane vdes nga etja në detin e Mesdheut

Prishtinë | 12 Sht 2022 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Një vajzë 4-vjeçare siriane, humbi jetën nga etja në një varkë të bllokuar, prej ditësh, në mes të Mesdheut. Vajza e vogël ishte larguar nga Libani për në Evropë me prindërit dhe motrën e saj një vjeç e gjysmë. Lajmi raportohet nga mediat italiane të cilat citojnë aktivistin Nawal Soufi, i cili ishte i pranishëm në operacionin e shpëtimit.

“E qara e saj e pangushëllueshme do të kishte lëvizur edhe gurët. A e keni idenë se çfarë do të thotë për një prind të shohë një vajzë të vdesë në këtë mënyrë mizore?”, ka komentuar babai i saj, Ahmad Adbelkafi Nasif.

Familjarët, refugjatë sirianë në Liban që ëndërronin një jetë të re në Itali, ishin në një varkë me 60 persona të tjerë.

“Anija ishte në zonën Sar (Search and rescue) “Kërkim dhe shpëtim” ​​të Maltës, shpjegon aktivisti, i cili njoftoi SOS dhe autoritetet e Valettës.

“Pas një dite heshtjeje, më thanë se po afrohej një anije: “Shpëtimi është vetëm çështje kohe”, më thanë. Por kjo nuk ndodhi. “E zbrazëm skafin me kova, dukej qartë se ishim të mbytur”, thotë Nasif.

Pas rreth 10 ditësh, varka mori ndihmë nga një anije mallrash që mbante flamurin e Antigua dhe Barbuda. Për 4-vjeçaren me emrin Loujin nuk mund të bëhej asgjë, ndërsa motra e saj më e vogël është e shtruar në spital, pasi kishte gëlltitur sasi të mëdha uji të kripur në përpjekje për të shuar etjen e saj, por ajo nuk është në rrezik për jetën. Edhe prindërit e vogëlushes janë mirë, për momentin janë të gjithë në Kretë. “Zemra jonë është bërë hi”, thotë nëna e Loujin, fjalët e fundit të së cilës para se të vdiste ishin: “Më jep disa pika ujë, të lutem”.

Ndërsa aktivisti Soufi ka akuzuar autoritetet e Maltës për mosdhënien e ndihmës ndaj tyre.

“Malta mund t’i shpëtonte ata kur raportuan se fëmijët ishin pa ujë dhe ushqim dhe rrezikonin të vdisnin nga uria, por në vend të kësaj i lanë atje, derisa një vajzë katërvjeçare vdiq nga dehidratimi. Janë të gjitha thirrjet të regjistruara, të gjitha pozicionet e varkave të fotografuara dhe dërguar në rojet bregdetare. Janë të gjitha provat që nuk kishte ndihmë”.

Të ngjashme