Islamic Relief ndan 1.6 milion euro për forcimin e ekonomive rurale, do të përfitojnë 1 052 familje

Prishtinë | 26 Tet 2023 | 18:11 | Nga Loresa Selimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Islamic Relief” ka ndarë 1.6 milionë euro për më shumë se një mijë familje kosovare, si pjesë e projektit zhvillimor për forcimin e ekonomisë rurale dhe mundësive të gjenerimit të të ardhurave në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ky projekt i Islamic Relief që mbështetet nga IICO Kuwait është i dizajnuar për gjashtë komuna të Kosovës.

Një mijë e 52 familje në komunat Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Istog, Skenderaj dhe Obiliq, do të marrin serra, traktorë, panele diellore, lopë dhe pula.

Jetmira Zeka, koordinatore e projektit, theksoi se projekti kontribuon në përmirësimin e produktivitetit bujqësor dhe shtimin e mënyrave të ndryshme për gjenerimin e të ardhurave, duke mbështetur e fuqizuar mbi një mijë familje për të arritur stabilitet financiar.

Ajo tha se objektivi përfundimtar i projektit është të përmirësojë perspektivat ekonomike të komuniteteve rurale në Kosovë duke zvogëluar varfërinë dhe duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë.

Mohamed Soliman, drejtor udhëheqës për Kosovë dhe Shqipëri nga Islamic Relief, tha se projekti është një iniciativë që synon forcimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e mundësive për gjenerimin e të ardhurave në Kosovë.

“Ky projekt ambicioz, i projektuar për të përfituar 1052 familje, shpaloset përmes pesë komponenteve thelbësore që plotësojnë nevojat e ndryshme të komuniteteve lokale, duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe prosperitetin ekonomik”.

Ferit Idrizi, kryetari i Vushtrrisë, theksoi se Shtëpia e Pleqve në Vushtrri është një nismë nga kjo organizatë, si edhe projekti i tashëm i Tregut të Gjelbër Ai tha se komuna e Vushtrrisë ka shpallur qytetar nderi Mohamed Soliman.

Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, tha se me këtë projekt hapen rrugë të reja dhe mundësi të reja për qytetarët.

“Komuna e Gjilanit pas marrëveshjes më Islamic Relief në sektorin e bujqësisë do të përfitojë në vlerë 614 mije euro”, tha ai.

Komponentët kryesorë të projektit:

  1. Serra – Projekti mbështet familjet duke ofruar serra të mëdha 500m2 dhe të vogla 100m2, duke mundësuar kultivimin e të korrave gjatë gjithë vitit. Ky komponent rrit produktivitetin bujqësor dhe gjenerimin e të ardhurave për çdo familje përfituese.
  2. Traktorë/ multikultivatorë – Fermerët do të pajisen me pajisje moderne bujqësore duke përfshirë traktorë, multikultivatorë të cilat përmirësojnë kultivimin dhe përpunimin e të korrave, duke rritur rendimentet dhe përfitimin.
  3. Panele diellore për fermerët Instalimi i paneleve diellore i fuqizon fermerët me burime të qëndrueshme energjie, duke reduktuar kostot operacionale dhe duke rritur produktivitetin e tyre të përgjithshëm.
  4. Lopë – Çdo familje që do të përfitojë lopë, do të ketë mundësi të angazhohet në prodhimin e qumështit dhe gjenerimin e të ardhurave.
  5. Pula – Ky komponent inkurajon rritjen e bujqësisë duke iu ofruar familjeve nga 37 pula dhe 3 gjela, gjë që mundëson shtimin e numrit të pulave dhe gjenerimin e të ardhurave.

Të ngjashme