Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se nga sot është hequr krejtësisht lista e pritjes së pacientëve për stentim.
Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar se “pacientët që kanë nevojë për stentim, stentohen menjëherë si raste urgjente, ose caktohet data e saktë e procedurës, nëse rasti nuk është emergjent”.
Postimi i plotë:
“Pas disa muajve punë intensive, lëshimi 24 orë në 7 shtatë ditë të javës i shërbimit për kujdesin e zemrës dhe stentim në QKUK, ka dhënë rezultatet e saj. Sot u njoftova se është arritur që në tërësi të hiqet lista e pritjes së pacientëve për stentim.
Tani pacientët që kanë nevojë për stentim, stentohen menjëherë si raste urgjente, ose caktohet data e saktë e procedurës, nëse rasti nuk është emergjent. Nga janari i vitit 2018, janë realizuar 1265 angiografi koronare, si dhe 710 intervenime.
Ngadalë do t’i heqim listat e pritjes nëpër spitalet dhe klinikat tona, dhe qytetarët do të marrin trajtimet e kërkuara në kohën e duhur.✅”, shkruan Ismaili.