Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha sot se Kosova do të ketë sigurim shëndetësor univerzal, ndërsa premtimet do të kthehen në shërbime të cilat qytetarët kosovarë duhet t’i prekin.
“Unë si ministër dhe Ministria e Shëndetësisë qëndrojmë prapa idesë që Kosova duhet të ketë një sigurim shëndetësor univerzal dhe do të bëjmë çmos që këto premtime që kanë qenë për një kohë të gjatë, realisht të kthehen në shërbime të prekshme për qytetarin”, Ismaili.
Ministri tha kështu në hapje të punëtorisë mbi rishikimin afatmesëm (RAM) të Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PSHK), që po mbahet në Prevallë. Ai tha se pret që Projekti i Shëndetësisë Kosovare të forcojë kapacitetet menaxhuese në institucionet shëndetësore.
“Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum, këtë Qeveri të re, e cila ka për qëllim që këto reforma t’i kthejë në realitet dhe të shohim sektorin e shëndetësisë më të organizuar, me mbshtetje më të madhe politike, financiare dhe natyrisht me ngritje të kapaciteteve profesionale aty ku ka nevojë. Për këtë jam këtu, që të zotohem se mbështetja ime si ministër, por edhe e Qeverisë së Kosovës do të jetë e plotë dhe e fuqishme në atë që reformat të cilat kanë filluar dhe janë bërë me punën e shumë akterëve që janë këtu, që kanë punuar për kohë të gjatë, por që kanë ngecur në implementim. Së bashku do të bëjmë që ky projekt apo këto reforma të jetësohen”, tha Ismaili.
Projekti i Shëndetësisë Kosovare, që është financim me huamarrje nga Banka Botërore, në vlerë prej 25.5 milionë dollarëve amerikanë, është duke e mbështetur Qeverinë e Kosovës, (sipas Marrëveshjes së hyrë në fuqi më 20 maj 2015), në drejtim të përmirësimit të mbrojtjes financiare të të varfërve nga shpenzimet shëndetësore si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve prioritare të kujdesit të shëndetit të nënës dhe fëmijës si dhe të shërbimeve të sëmundjeve jongjitëse.