Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka kritikuar ashpër kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.Ismaili citon Albin Kurtin tek kishte thënë dikur “Shko në Hagë, Hashim” dhe shprehet se kjo është ndër fjalitë më të turpshme të Kurtit.
Ai shprehet se Kurti nuk brengoset për vlerat e luftës derisa po i duket se Gjykata Speciale i bën favore politike dhe po shpreson se ajo ia eliminon kundërshtarët.
Ky është postimi i plotë i Ismailit:
“Shko në Hagë, Hashim” – këtë fjali e ka shkruar kohë më parë Albin Kurti dhe duhet të jetë një prej më të turpshmeve të tij, i cili, kur e ka thënë, i verbuar nga urrejtja politike, nuk e ka kuptuar se në Hagë do të mund të gjykohej Hashimi i UÇK-së, e jo Hashimi i politikës.
Jo kundërshtari i Albinit, por armiku i Serbisë. Ose, ndoshta edhe e ka ditur, por ka dëshiruar ta krijojë një të vërtetë tjetër, të tij, por që nuk është e vërteta e Kosovës.
Dje, Albin Kurti e sulmoi sërish Hashim Thaçin, edhe pse ai udhëtoi në Hagë për të kaluarën e tij si ushtar i lirisë.
Sot, u raportua se Serbia ka dërguar në Hagë mijëra dokumente për Hashim Thaçin dhe veprimtarinë e tij kundër Serbisë.Albin Kurti nuk brengoset për vlerat e luftës përderisa i duket se Gjykata Speciale i bën favore politike, duke shpresuar se ajo ia eliminon kundërshtarët. Prandaj, sulmon edhe kur nuk sulmohet.Albin Kurti është modeli i politikanit, që e gjejmë nëpër histori, që çdo herë kur ka pasur nevojë për unitet – ky model i politikanit ka vepruar për përçarje. Kjo është fatkeqësi kombëtare që na ka përcjellë në etapa të ndryshme të historisë, e është fatkeqësi që edhe sot e kemi një politikan të tillë.Kjo është përballje e Kosovës me Serbinë, e historisë së Kosovës me fabrikimet e Serbisë. Të gjithë e dimë se UÇK dhe populli i Kosovës kanë qenë të rreshtuar në anën e drejtë. Dëbimi i shqiptarëve, krimet, gjenocidi kanë ndodhur nga Serbia. Nuk ka Gjykatë, e as politikan, që mund ta ndryshojë këtë histori.