Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar Listën e re të Barnave Esenciale, raporton Ekonomia Online.
Kjo listë, e cila ka mbi 100 produkte të reja, është hartuar duke marrë në konsideratë edhe analizën e zhvillimeve në industrinë farmaceutike, transparencën dhe llogaridhënien.
Ismaili, tha se Lista e re e Barnave Esenciale është gjithëpërfshirëse dhe popullatës sonë do t’i mundësojë që të përdor barna cilësore, të sigurta dhe kost-efektive.
“Kjo Listë përveç që do të siguroj barnat më të mira për popullin tonë, krijon një mburojë financiare për ta dhe ndalë varfërimin e tyre që ka ndodhur deri më sot”, ka thënë ministri Ismaili.
“Lista hyn në fuqi sot nuk do rrijë në letër asnjëherë, në këtë listë janë mbi 100 barna të reja, ka për sëmundje të rralla, kjo listë është e përpiluar me standarde ndërkombëtare është listë që u takon profesionistëve shëndetësor, qytetarëve tanë dhe jo interesave”, shtoi Ismaili.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka prezantuar punën e komitetit teknik që ka punuar për listën e re të barnave esenciale.
Ai tha se puna për listën e re të barnave esenciale ka zgjatur një vit ku ka shumë përmirësime në listën e re.
“Finalizimi i kësaj liste është arritur pas një pune 1 vjeçare që kanë shqyrtuar qindra propozime për përfshirjen e barnave, materialeve shpenzues etj”, tha Bardiqi.
“Komiteti teknik ka punuar që lista t’i përshtatet buxhetit të ndarë për barna dhe materialit shpenzues, kjo listë është bazike esenciale”, tha ai.
Bardiqi tha se në këtë listë janë futur 100 barna të reja dhe eliminon shumë gabime që janë bërë në listën e vjetër të barnave esenciale.
“Krahasuar me listën e barnave të vitit 2012, lista e re ka sjellë përparësi ku janë brenda 100 barna të reja, bën kalimin në formatin e plotë të OBSHh-së, eliminon gabimet e kaluara në listën e antibiotikëve, plotëson listën në hematologji e sëmundje të rralla etj”, shtoi ai.
Doktoresha nga Shoqata me Sëmundje të rralla, Drita Cosaj, tha se përmirësimi i kësaj listë ka qenë e nevojshme pasi që pacientët me sëmundje të rralla kanë pasur gjithë barrën për blerjen e barnave që janë shumë të kushtueshme.
“Përfshirja e barnave për sëmundje të rralla në këtë listë janë shumë të rëndësishme dhe janë të kushtueshme, këta pacientë kanë qenë të varur nga familja që e kanë pasur barrën për këtë mjekim, mjekimi i tyre d.m.th që ngritet kualiteti i jetës së tyre”, tha ajo.
“Ministria e Shëndetësisë ka mbuluar 100 pacientë me sklerozë multiple, por kjo nuk ka plotësuar nevojat e pacientëve me sëmundje të rralla sepse ka shumë pacientë të tillë”, shtoi Cosaj.
Pacientja 13 vjeçare e sëmurë me fibrozë cistike, Yllka Leti, ka rrëfyer sëmundjen e saj para të pranishmëve dhe vështirësitë që kanë hasur familja e prandaj për të mbuluar shpenzimet në mënyrë që të trajtohet sëmundja e saj.
“Fibrozë cistike është sëmundje e lindur metabolike që trajtohet, por nuk shërohet. Në Kosovë jemi 112 fëmijë të prekur nga kjo sëmundje”, tregoi Leti.
Ajo tha se shpreson se kjo listë të mos mbetet vetëm në letër.
Lista e re e Barnave Esenciale është produkt i punës profesionale dhe ekspertizës ndërkombëtare e vendore, profesionistëve shëndetësorë, pacientëve dhe shoqatave të tyre. Për herë të parë, hartimi i Listës është bërë me ndihmën dhe nën monitorimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shoqërisë civile dhe Agjencisë kundër Korrupsionit.
Për herë të parë, përmes nënshkrimit të Deklaratës mbi Konfliktin e Interesit, është parandaluar çfarëdo forme apo manifestim i konfliktit eventual të interesit nga anëtarët e Komitetit.
Revidimi i LBE, bashkë me miratimin e Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave dhe pajisjeve medicinale, paraqesin thelbin e zhvillimit të reformës në sektorin farmaceutik dhe atë të shëndetësisë në Kosovë.