Ismaili: PDK-ja e para, LDK-ja dhe VV-ja s’po guxojnë të shkojnë në zgjedhje si të ndara

Prishtinë | 28 Gus 2019 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Uran Ismaili është i bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje kanë frikë të shkojnë të vetme në zgjedhje, sepse, sipas tij, janë të vetëdijshme se do të humbin përballë PDK-së.

Nënkryetari i PDK-së thotë se përpjekja e madhe e këtyre dy partive që të lidhin një koalicion parazgjedhor tregon qartë ankthin që i ka përfshirë ato për ditën kur qytetarët do ta thonë fjalën e tyre se kush do ta drejtojë vendin në katër vjetët e ardhshëm.

“Tentimi i tyre që me çdo kusht ta ndërtojnë një koalicion parazgjedhor flet për pasigurinë e tyre për t’u përballur me elektoratin si të ndara, sepse i frikësohen mbështetjes popullore që po merr PDK. E dinë që jemi të parët. LDK dhe VV nuk po guxojnë të shkojnë në zgjedhje si të ndara. Për pushtet, ato po shkelin çdo parim dhe po i kërkojnë ndihmë njëra-tjetrës, edhe pse deri vonë LDK e quante VV-në të dhunshme, ndërsa VV e quante LDK-në të korruptuar”, ka deklaruar Uran Ismaili për Indeksonline.

Ismaili, po ashtu, ka thënë se dallimi mes PDK-së dhe LDK-së e VV-së është se Kadri Veseli po flet për plane konkrete për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës, duke e luftuar korrupsionin e nepotizmin dhe duke krijuar mundësi të barabarta, në mënyrë që të fuqizohet ekonomia dhe që rinia të mbetet këtu, ndërsa Isa Mustafa e Albin Kurti janë të fokusuar ekskluzivisht në problemet e tyre.

“Ju e shihni që preokupim i vetëm i LDK-së dhe VV-së, gjatë javëve të fundit, janë postet. Ndërkohë që, PDK dhe Kadri Veseli gjithë vëmendjen e kanë për qytetarët. Kjo flet mjaftueshëm, besoj”, ka deklaruar ai.

LDK dhe VV kanë intensifikuar takimet e tyre për mundësinë e arritjes së një koalicioni parazgjedhor, por ende nuk kanë mund ta finalizojnë atë, për shkak se po i ndan posti i Kryeministrit të Kosovës.

Isa Mustafa ka përsëritur sot qëndrimin se mbetet i përkushtuar për ta arritur këtë koalicion, mirëpo përgjigjet nga kampi i Vetëvendosjes duket se po e thellojnë edhe më tutje përçarjen mes tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme