ISPE do të ngrejë kallëzim penal ndaj ministrit Bytyqi dhe Agjencisë së Akreditimit

Prishtinë | 16 Gus 2018 | 15:28 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në konferencën e mbajtur nga Kolegji ISPE, lidhur me mosakreditimin e disa programeve nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, profesori i këtij kolegji, Avni Mazreku, ka bërë të ditur se do t’u dërgojë letër Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Komitetit të Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), lidhur me, siç thotë, shkeljet e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

“Letrat që do të komunikojmë me EQAR-in do të jenë transparente dhe të hapura për publikun. Kjo i ndihmon asaj që për pasoja eventuale që mund të ketë Kosova, përjashtimi nga këto dy”.

I pyetur se a do të ndihej fajtor kolegji ISPE nëse letra e tyre do ta sillte përjashtimin e Kosovës nga EQAR-i, Mazreku tha se përgjegjësia për këtë do të ishte e ministrit Bytyqi, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se nuk është qëllim i tyre atakimi i një individi apo institucioni, por raportimi i parregullsive.

“Përgjegjësia për përjashtimin e Kosovës nga EQAR-i bie mbi përgjegjësinë e ministrit të Arsimit. Ky ministër është dashur të shkarkohet menjëherë pas përjashtimit nga EQAR-i”.

Mazreku ka thënë se kallëzimi penal ndaj ministrit dhe AKA-së është në fazën finale të hartimit, derisa shtoi se ai do të jetë publik.

“Letra për ENQA dhe EQAR, kemi kërkuar nga kryeprokurori Lumezi që të hartohet një taskë-forcë, e cila do ta hetojë në esencë veprimtarinë e agjencisë së akreditimit. Letra në pika gjenerale ceken shkeljet e ministrit Bytyqi dhe Agjencisë së Akreditimeve”.

Mazreku ka përmendur disa nga shkeljet që, sipas tij, janë bërë nga ministri dhe AKA-ja, raporton EO.

“Një prej shkeljeve të ministrit Bytyqi është ligji i cili thotë se asnjë nga anëtarët e bordit të agjencisë nuk duhet të jenë të punësuar ne institucione të Arsimit, por qëndron se tre anëtarë të bordit të agjencisë janë të punësuar në një kolegj. Në këtë letër bashkangjiten të gjitha faktet, janë videot të personit që ka bërë marketing, këtu përmendet kolegji AAB. Në këtë letër identifikohet me emër”.

“Pse Ministria e Arsimit ka lejuar që nga viti 2014 Agjencia e Akreditimit të udhëhiqet me ushtrues detyre. Ministria e ka anuluar konkursin për kryetar 4 herë, pse?”

Tutje, Mazreku tha se nuk u vjen mirë që janë në situatën për t’u shkruar këtyre dy institucioneve evropiane, sepse do të këtë pasoja për Kosovën, raporton EO.

“Do të jenë shtyjë për përjashtim të Kosovës nga ENQA, do të ketë pasoja të mëdha nga largimi”.

Sipas Mazrekut, në letër përmendet edhe emri i kryeministrit, sepse tha se ai është dashur të diskutojë në Qeveri, për këto çështje pasi ka qenë i njoftuar nga ISPE për këto shkelje.

Mazreku përmendi disa prej pjesëve që do të trajtohen në kallëzimin penal që tha se do të ngritet ndaj ministrit dhe AKA-së.

“E para a është marrë në konsideratë rekomandimi i ushtruesit të detyrës së shkarkuar nga KShC-ja. Aplikacioni ynë për programet e reja nuk është trajtuar, kjo është shkelja e dytë. Janë dy kërkesa tona që u drejtohen agjencisë së akreditimit, deri më tani agjencia nuk është përgjigjur”.

Mazreku ka thënë se 14 raste, propozime të ISPE-së drejtuar Agjencisë së Akreditimit, janë vlerësuar pozitivisht nga ekspertët ndërsa janë refuzuar nga AKA-ja.

Mazreku është ankuar edhe në pasaktësinë e raportimit të disa medieve lidhur me këtë çështje.

Të ngjashme